
Në një deklaratë të përbashkët me ministrat e shëndetësisë të G7, Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA, Xavier Becerra dënoi sulmet e presidentit rus Vladimir Putin ndaj objekteve shëndetësore dhe punonjësve shëndetësorë në Ukrainë.
“Sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, duke përfshirë objektet e kujdesit shëndetësor shkelin të drejtën ndërkombëtare humanitare. Shëndeti duhet të mbetet prioritet dhe punonjësit e shëndetësisë duhet të mbrohen në mënyrë që ata të ofrojnë kujdes urgjent për të shpëtuar jetë. Sistemet dhe objektet shëndetësore të mbrohen në mënyrë që ato të mbeten të aksesueshme për të gjithë ata që kanë nevojë për to”, thuhet në deklaratën e ministrave të shëndetësisë.
Të paktën 12 persona janë vrarë dhe 34 persona janë plagosur gjatë 43 sulmeve në objektet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë, tha javën e kaluar Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.



