
Gjykata Kombëtare e Spanjës ka urdhëruar ofruesit e internetit të pezullojnë përdorimin e shërbimit të mesazheve të çastit Telegram, në pritje të një hetimi mbi pretendimet për shkelje të të drejtave të autorit.
Vendimi i së premtes erdhi pasi katër organizatat kryesore mediatike të Spanjës, Mediaset, Atresmedia, Movistar dhe Egeda, paraqitën një ankesë duke argumentuar se platforma lejon përdoruesit të shpërndajnë përmbajtjen e tyre pa leje.
Sipas mediave lokale, gjykatësi Santiago Pedraz kërkoi informacione të caktuara nga pronarët e Telegram si pjesë e hetimit. Pasi kërkesa nuk u plotësua, ai urdhëroi që të bllokohej qasja në aplikacion, duke hyrë në fuqi të hënën. Gjykatësi e përshkroi masën si "paraprake" dhe përmendi mungesën e bashkëpunimit të Telegram. Pezullimi pritet të zgjasë gjatë gjithë hetimeve.
Gazeta El Pais tha se Telegrami mbetet kryesisht i aksesueshëm në Spanjë, megjithëse disa përdorues filluan të raportojnë probleme me shërbimin të premten mbrëma.
Vendimi u prit me kritika të gjera. Organizata mbikëqyrëse e të drejtave të konsumatorit FACUA e quajti atë "absolutisht joproporcionale" dhe tha se bllokimi i shërbimit popullor do të shkaktojë "dëm të madh".



