Prej disa ditësh, qindra shtetasve shqiptarë po u mohohet hyrja në territorin e Shqipërisë si në pikën kufitare të Kapshticës, ashtu edhe të Kakavijës. Mbyllja e kufirit me të gjitha vendet fqinje bëri që emigrantët e kthyer nga Greqia të mbeten të izoluar në tokë neutrale për orë të tëra, madje një pjesë e tyre që tentuan të hyjnë në mënyrë ilegale edhe janë gjobitur.
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, në një prononcim për TvT flet për shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.
Shqipëria e ka të pamundur në kuptim të ligjit që të ndalojë shtetasit e vet për të hyrë në territor. Ndalimi i tyre në gjykimin e avokatit të popullit është një shkelje e parimeve të të drejtave të njeriut por edhe e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në mënyrë specifike parashikon që shtetet nuk mund të ndalojnë personat që kanë shtetësinë e atij vendi për të hyrë në territor.
Ballanca sugjeron që shteti të riatdhësojë emigrantët duke i karantinuar në një nga ambientet e posaçme të krijuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Edhe për juristin Jordan Daci, vendimi për të mos i lejuar të hyjnë në Shqipëri ka cenuar në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut.
Këta njerëz janë aktualisht viktima të shkeljeve më të rënda të mundshme, përsa i përket trajtimit çnjerëzor dhe degradues. Kufiri për qytetarët e vendit nuk mund të mbyllet asnjëherë.
Ndërsa avokatja Margarita Kola thotë se emigrantët kanë të drejtë që në një moment të dytë t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për këtë mohim që po u bëhet.
Jam e bindur që nëse dikush do ta marrë mundimin të drejtohet me një çështje kundër shtetit tonë, Gjykata Ndërkombëtare e Strasbugut do të jetë në favor të personit që i janë shkelur të drejtat.
Pak ditë më parë, qeveria lajmëroi se do të riatdhesonte përmes kompanisë “Air Albania” qytetarët që kanë mbetur në disa vende të Europës dhe se ky mision humanitar do kryhej falas. Mbetet e paqartë përse për këta shtetas është lejuar, riatdhesimi ndërsa për ata që duan të hyjnë në rrugë tokësore nga Greqia nuk është lejuar hyrja në Shqipëri. Para pak ditësh, drejtori i policisë, Ardi Veliu, në një mesazh drejtuar policëve u shpreh krenar për punën që ata po bënin në parandalimin e pandemisë.



