
Mjeku epidemiolog Alban Ylli ishte mbrëmjen e sotme në emisionin “Arnautistan” në MCN TV nga ku u shpreh se vaksinat nuk e ndërpresin qarkullimin e virusit Covid-19, por thekson se mbrojnë jetën njerëzore.
Sipas mjekut një person i vaksinuar nuk duhet të panikoset nëse preket nga varianti Omicron, pasi vaksinimi e bën shumë më të lehtë për ta kaluar.
“Nuk përjashtohet mundësia që edhe personat e vaksinuar me tre doza të infektohen, por mund ta kalojnë shumë shumë më lehtë, por edhe mund të vdesin. Askush në botë me njohuri nuk mund të thotë që vaksinat nuk luajnë rolin e tyre. Por vaksina nuk e ndërpret qarkullimin e virusit. Nëse para pandemisë më pyesnin çfarë duhet të bëj ishte mos pi duhan, sot u them bëni vaksinën, bëni vaksinën. Popullata është e prirur drejt teorive që ngjallin kundërshti. Ka shumë njerëz që i besojnë. Lidhur me vaksinat besoj ka shkaktuar dëme. Ata që kanë shpërndarë këto teori janë përgjegjës për jetë njerëzore”, tha Ylli.



