
Në një deklaratë për mediet, mjeku Alimehmeti ka shpallur kandidaturën për të hyrë në Primare, që do të zhvillohen nga Partina Demokratike.
Alimehmeti do të jetë në këtë garë përballë deputetit Belind Këlliçi dhe ish-deputetit Gerti Bogdani.
Me eksperiencën time rreth 15-vjeçare si mjek dhe pas formimit si epidemiolog klinik në Europë Perëndimore, vendosa të rikthehem në Tiranë në vitin 2014 për t’i vënë frytet e punës, mundit dhe djersës në shërbim të komunitetit tim, në edukimin dhe shërimin e tij, si profesionist i shëndetësisë dhe si pedagog. Gjatë viteve në vijim gëzova mbështetjen dhe vlerësimin e pacientëve, kolegëve dhe studentëve të mi, por bashkë u njohëm më gjerë për shkak të krizës së shëndetit publik që goditi botën gjatë tri viteve të kaluara. Ajo prani mediatike dhe ai adresim i publikut nuk erdhi si rrjedhojë e babëzisë për përfitime ekonomike dhe as e etjes për lavdi personale, por erdhi si rrjedhojë e përgjegjësisë qytetare për të vendosur dijet, vlerat dhe vërtetësinë në shërbim të komunitetit tonë të sëmurë e në nevojë. Me të njëjtën ndërgjegje qytetare, me të njëjtat vlera dhe me të njëjtin seriozitet, duke ndjekur hapat e prindërve të mi më parë, vij para jush për t’ju dedikuar plotësisht Tiranës dhe komunitetit të saj, pasi Tirana jonë është e sëmurë dhe në gjendje krize miqtë e mi. Dhe, miqtë e mi, Tirana i ka të gjitha mundësitë për t’u shëruar dhe ringjallur, vlerat dhe bukuria e saj mund të ripërtëriten, por kjo mund të ndodhë vetëm përmes punës, mundit dhe djersës, ndërgjegjes qytetare dhe kontributit të çdonjërit prej nesh që ka vendosur të ndërtojë jetën në Tiranë, përfshirë këtu edhe mua. Sot, në shërbim të komunitetit, unë kandidoj im në zgjedhjet primare për Bashkinë e Tiranës pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë, me besimin e plotë se procesi i Primareve do të jetë plotësisht transparent, i besueshëm dhe shpresëndjellës.
Në fund ai ka bërë një thirrje për qytetarët që të marrim pjesë masivisht në protestën kombëtare të datës 12 nëntor 2022.
Unë ju ftoj ju, të merrni pjesë masivisht në Protestën Kombëtare të 12 Nëntorit! Unë ju ftoj ju, të merrni pjesë masivisht në Primare! Unë ju ftoj ju, ta shërojmë të gjithë së bashku Tiranën tonë! Tirana është e jona!



