
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se Kosova duhet t’i pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri të Kosovës, si hap i parë i shtensionimit.
Përmes një konference për mediat ai u bëri thirrje gjithashtu protestuesve të dhunshëm që të tërhiqen.
“Bashkimi Evropian e dënon dhunën në veri të Kosovës. Kjo sjell në një situatë të rrezikshme. Kam pasur kontakt me kryeministrin Albin Kurti këtë mëngjes dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç mbrëmë, dhe kam kërkuar nga të dyja palët që të marrin masa të shtensionohet gjendja. Si hap i parë pres që institucionet e Kosovës t’i heqin forcat policore nga ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, dhe protestuesit të qetësohen”, ka thënë Borrell.
Ai shtoi se Brukseli pret si nga Prishtina ashtu edhe Beogradi që ta vazhdojnë dialogun. Po ashtu Borrell vuri në dukje se po punohet për një takim të nivelit të lartë.
“Ka pasur shumë dhunë. Ne kemi aktualisht një luftë në Evropë dhe nuk mund ta pranojmë edhe një konflikt tjetër”, ka thënë Borrelli.



