Ushtria izraelite ka deklaruar se ka rrëzuar një raketë dhe një dron të lëshuar nga Jemeni, ngjarje e ndodhur të premte më 3 janar. Sipas izraelitëve ky ishte sulmi i fundit në serinë e sulmeve nga Jemeni që kanë pasur për shënjestër Izraelin në javët e fundit.

Një raketë u lëshua nga Jemeni dhe kaloi në territorin izraelit. Raketa u rrëzua. Kemi pranuar një raportim sa i përket rënies së copëzave të raketës së rrëzuar në zonën Modi në Izraelin qendror dhe jemi duke verifikuar detajet e këtij raportimi.
Autoriteti i shërbimit të emergjencave në Izraeli tha se disa persona janë në trajtim mjekësor për shkak të plagëve të marra pasi kanë qenë duke shkuar nëpër strehimore pas aktivizimit të sirenave për sulme.
Shumica e Jemenit kontrollohet nga rebelët Huthi, të cilët mbështeten nga Irani.
Rebelët vazhdimisht kanë gjuajtur raketa dhe dronë drejt Izraelit – por edhe ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit – në atë që ata e quajnë solidaritet me palestinezët në Gazë, në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Rebelët Huthi po ashtu kanë intensifikuar sulmet e tyre që nga nëntori i vitit të kaluar, kur u arrit një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja – në Liban.



