
Përafrimi i legjislacionit të sigurisë ushqimore dhe zbatimi i rregullave dhe standardeve europiane për këtë sektor në Shqipëri është prioritet i qeverisë shqiptare dhe ministrisë së bujqësisë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ndodhet në një vizitë ne Dublin në Irlandë për të ndjekur nga afër ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit me autoritetet e Irlandës sipas projektit disavjeçar të sigurisë ushqimore.
Ministrja foli dhe për sigurinë ushqimore si instrumenti më i rëndësishëm për rritjen e cilësisë së prodhimit bujqësor, rritjen e eksporteve, rritjen e të ardhurave të fermerëve dhe garantimin e cilësisë së produkteve për konsum.
“Progres Raporti evidentoi një mori punësh të kryera nga Ministria e Bujqësisë gjatë vitit 2022, ku ne kemi mundësuar në Kapitullin e 11 një punë të mirë të bërë me bazat e hedhura për Regjistrin e Fermës, ku deri më sot numërohen rreth 82.000 fermerë të regjistruar me kod unik ferme. Kjo na garanton më pas edhe një siguri ushqimore më të mirë nga ferma në tryezë. Gjithashtu është bërë një punë e mirë me zbatimin e Programit IPARD II, me përthithjen e fondeve, ndërkohë na është miratuar Programi IPARD III, me rreth 54% më shumë fonde në dispozicion të Programit IPARD III, i cili do të përmbajë kësaj radhe 9 masa, përtej 3 masave që ishin të akredituara deri më tani. Është një punë voluminoze që kryhet nga strukturat. Natyrisht që më erdhi mirë të konstatoja që dhe në Kapitullin 13, sa i takon Peshkimit ne kemi nota pozitive, që kanë të bëjnë me investimet e kryera në flotën e peshkimit, por gjithashtu edhe me marrëdhëniet ndërkombëtare ku ne jemi pjesë anëtare e mekanizmave më të larta të Komisioneve të Peshkimit në botë dhe ndërkohë jemi në punë duke avancuar agjendën për Kapitullin 12, që është Siguria Ushqimore, siç e përmenda dhe arsyeja e vizitës time në Irlandë ka të bëjë pikërisht me ndjekjen e praktikave më të mira, me adoptimin e rregulloreve të Bashkimit Evropian, përsa i takon sigurisë ushqimore, planeve të monitorimit të mbetjeve dhe kontrolleve zyrtare.
Rruga e përputhshmërisë me standardet e Bashkimit Evropian për bujqësinë, për peshkimin, për sigurinë ushqimore është e vetmja rrugë drejt zhvillimit ekonomik të qenësishëm për familjet fermere, për peshkatarët, të cilët duke respektuar standardet e Bashkimit Evropian për sigurinë ushqimore e kanë të mundur që të shesin më shtrenjtë në tregje të sofistikuara dhe të krijojnë një ekonomi më të mirë për vendin tonë. Në fakt dhe rasti i kësaj vizite në Irlandë më konfirmon këtë gjë, që ky rrugëtim i ka çuar ata drejt faktit që sot eksportojnë rreth 15 miliardë euro produkte ushqimore në vendet më të sofistikuara të Evropës, duke qenë një eksportues neto kështu, patjetër dhe Shqipëria me ambiciet që ka për eksportet bujqësore do të ndjekë këtë rrugë.
Deklarata e Krifcës u bë pasu u takua dhe diskutoi me Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore, Autoritetin Irlandez të Sigurisë Ushqimore si dhe Laboratorin Shtetëror Referencë të shtetit të Irlandës. E shoqëruar nga ministri i shëndetit publik dhe mirëqenies të Irlandës, Frank Feighan, ministrja Krifca vizitoi dhe Drejtorinë e Portit të Irlandës për të parë nga afër procedurat europiane të kontrollit pasi Shqipëria ka miratuar një projekt prej 25 milionë euro me Bankën Botërore për zbatimin e rregullores europiane për respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore në pikat kufitare në Qafëthanë, Kapshticë, Durrës dhe Vlorë.



