
Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama foli për mediat, duke shigjetuar opozitën por duke u ndalur edhe te kriza energjetike.
Rama tha se kemi hyrë në një epokë të një kërcënimi të madh, ku Europa, por edhe ne si pjesë e saj jemi të detyruar të përballemi me kërcënimin e madh të kësaj epoke, që vjen nga një agresion në dyert e Europës, që ka sjellë si pasojë edhe rritjen e çmimeve të energjisë dhe të produkteve bazë.
Është një inflacion lufte. Kostoja që i paguajmë aventurës të një diktatori si Vladimir Putin, por nga ana tjetër edhe pse nuk është qeveria që ka sjellë inflacionin, i takon qeverisë që të bëjë gjithçka për të lehtësuar peshën e kësaj lufte mbi kurrizin e ekonomisë së vendit dhe mbi shpatullat e familjeve.
Për këtë arsye kemi bërë gjithçka që kemi mundur. Jemi duke finalizuar buxhetin e viti të ardhshëm që është dyfishi i buxhetit 2013.
Urojmë që të kemi edhe shiun e nevojshëm, pasi jemi ende shumë të varur nga burimet ujore dhe duke pasur më shumë prurje shiu, kemi më pak nevojë për të dalë në import, por gjithsesi do vazhdojmë të dalim sepse nuk prodhojmë sa për të përmbushur të gjitha nevojat.
Jemi besimplotë që do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha.
Rama tha në vijim se në këtë epokë kërcënimi të madh, kur Shqipëria nuk bën përjashtim nga kërcënimi, kur na duhet të përballemi me pasojat që është e re dhe vjen te ne siç erdhi tërmeti, pandemia, duhet të jemi të qartë, të vendosur, të bashkuar, të lidhur me partnerë të fuqishëm.
Do ishte mirë të kishim një opozitë që të rrinte mirë në këtë kontekst, por kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota dhe nga ana tjetër është e zhytur në buxhetin e rublave.
Në vijim ai tha se është fatkeqësi edhe veprimtaria, por edhe mënyra se si vepron në mënyrë të përditshme që “mbajnë erë”.
Sipas tij, ajo çka dimë nuk është e gjitha ajo që duhet ditur.



