Mustafa Nano filloi sonte sezonin e "Zululandit" në Tematv. E filloi me një temë të aktualitetit, shenjtërimin e Nënë Terezës. Por para se të niste bisedën me të ftuarin e tij, Agron Gjekmarkaj, ai bëri një vëzhgim të tijin lidhur me ceremoninë në Vatikan. Ai tha se Nënë Tereza është një personazh i rëndësishëm i historisë, një personazh që të magjeps me forcën e saj, por ajo duhet parë thjesht si një njeri i madh këtu në tokë. Ne nuk dimë se ç'vend ka zenë ajo në Qiell, ashtu si nuk dimë nëse bota e Qielli ekziston, apo jo. Nuk kemi prova për këtë. Në këtë kuptim, ceremonia e shenjtërimit, sipas Nanos, ishte një teatër, një show, e asgjë më shumë. Nuk ka se si të jetë ndryshe një ceremoni shenjtërimi e ngritur mbi bazën e dëshmive të dy njerëzve, një gruaje nga Bengali e një burri nga Brazili, të cilët thonë se kanë gjetur shërim prej kancerit për shkak të "mrekullibërëses" Nënë Tereza. "Këto dëshmira janë qesharake, janë gallatë", nënvizoi Nano.
Gjekmarkaj nuk ra dakord me këtë vëzhgim kritik të Nanos. "Nuk mendoj se është e drejtë të përdoret termi 'gallatë' në një ngjarje të tillë. Ka shumë njerëz që besojnë në gjëra të tilla, dhe ata nuk ka pse lëndohen. Besimi nuk është një gjë racionale. Është një gjë mistike", tha ai. Nano insistoi se besimtarët nuk ka pse lëndohen, se ata, të krishterë e myslimanë qofshin, duhet të mësohen me kritikat ndaj tyre, e ndaj fesë së tyre. Debati mes tyre vazhdoi gjatë gjysmës së parë të Zululandit.
Në pjesën e dytë, Gjekmarkaj mbrojti tezën se Nënë Tereza është një katolike e madhe, një shqiptare e madhe, dhe se kritikat që i bëhen asaj janë të pabaza. Nano ishte në një mendje me të se "ngjarja në Vatikan ishte shumë e rëndësishme në planin e promovimit të imazhit të shqiptarëve".



