Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kërkuan sot informacion në SPAK lidhur me ecurinë e hetimeve për 16 kallëzime të tyre.
Avokatja Adriana Kalaja kërkoi takim me kreun e SPAK Arben Kraja, duke u shprehur se ky i fundit takon pa protokoll ambasadoren amerikane Yuri Kim.
Kemi kërkuar pezullimin e fondit të akorduar për ndërtimin e teatrit të ri. Ndërkohë që Falcone-n e vrau mafian, ne në pushtet kemi mafian që po vret identitetin, po shkatërron historinë, trashëgiminë kulturore. Projekti për Butrintin është një tjetër akt korruptiv. Është koha që SPAK-u të lëvizë. SPAK-u të ngrihet mbi presionet e zyrtarëve të lartë. Ne kemi rikërkuar një ritakim me kryetarin e SPAK-ut. Ndërkohë që kryetari i SPAK takon pa protokoll ambasadoren Yuri Kim. Kemi kërkuar një informacion të hollësishëm se ku ndodhen hetimet dhe çfarë është bërë me kërkesën për bashkimin e dosjeve tona me ato të KLSH. Nga ky shesh i bëj thirrje SPAK-ut të veprojë sot, sepse çdo ditë që kalon është në dëm të interesave të shqiptarëve”.
Aktori Mehdi Malkaj në fjalën e tij u shpreh se “drejtësia e re është më e vjetër se drejtësia e vjetër”.
Ndërsa regjisori dhe aktori Edmond Budina tha se Shqipërisë sot i duhet një prokuror si Giovanni Falcone.
Kanë kaluar 30 vjet nga vrasja e Giovanni Falcon-es, shumë i kanë harruar emrat e politikanëve dhe mafiozëve, por emri i Falcones jeton. Do të doja që këtu të kishim një Falcone, jo të vdekur, por që tregon që drejtësia jeton dhe për të luftuar kundër mafias”.



