LDK e VV nesër i thonë “JO” Ramush Haradinajt për kryeministër

LDK e VV nesër i thonë “JO” Ramush Haradinajt për kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të jenë nesër prezentë në seancën ku pritet të votohet për Ramush Haradinajn kryeministër të Kosovës. Vota e këtyre dy partive do të jetë kundër Haradinajt për të vetmen arsye, pse është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës të udhëhequr nga Kadri Veseli.

Shqipe Pantina, deputete e LVV-së i ka thënë “Indeksonline” se deputetët e kësaj partie nuk do e votojnë një qeveri në të cilën bën pjesë PDK-ja.

Megjithatë, ajo ka shtuar se nesër do të dëgjojnë programin që do e paraqesë Haradinaj për mandatin e tij si kryeministër.

“Presim të dëgjojmë nesër nga Haradinaj se çka ofron ai për qytetarët, për vendin, për 4 vitet e ardhshme dhe diskutimi ynë do të jetë në bazë të atij programi që ai paraqet. Është mese e ditur se ne nuk do ta votojmë një qeveri brenda së cilës është PDK-ja, këtë e kemi thënë tashmë një kohë të gjatë dhe nuk ka asnjë ndryshim”, ka thënë ajo.

Njëjtë është shprehur edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri.

Ajo për “Indeksonline” ka thënë se deputetët e LDK-së do të jenë nesër në seancë për të thënë krejt çka mendojnë rreth formimit të kësaj qeverie.

“Nesër ne do të jemi aty dhe do e japin kontributin tonë. Natyrisht që vota jonë do jetë kundër një qeverie çfarë është sot, kjo që po e shohim. Do të jemi aty për ta thënë krejt çka mendojmë”, ka deklaruar ajo.

Qeverisja e koalicionit PDK-AAK-Nisma-AKR, i ka afruar raportet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Kjo për faktin se të dy partitë janë në opozitë.

Pantina e Vetëvendosjes ka thënë se pret që nesër edhe LDK të votojë kundër Haradinajt, derisa ka shtuar se do të bashkëpunojnë si opozitë për çështje të rëndësishme për vendin dhe qytetarët.

“Edhe ata besoj që do i shprehin qëndrimet e veta, por ne tashmë jemi opozitë dhe si e tillë natyrisht se do të bashkëpunojmë sidomos për çështje të caktuara që janë të rëndësisë së veçantë dhe për vendin. Është e natyrshme që të kemi mendime të ndryshme por kjo pritet të shihet në vazhdim. Unë pres që nesër edhe LDK-ja të votojë kundër qeverisjes së Haradinajt”, ka deklaruar Pantina për “Indeksonline”.

LDK është shprehur po ashtu e gatshme që të bashkëpunojë me Vetëvendosjen në rast nevoje.

Deputetja Besa Gaxherri ka thënë se partitë e kanë subjektivitetin e tyre, por kur do të jetë e nevojshme, do të bashkëpunojnë si opozitë.

“Anipse jemi dy parti opozitare, shumë gjëra hiç pa marrëveshje do të jenë të njëjta edhe pse LDK dhe VV kanë filozofi shumë të ndryshme, kanë mënyrën e veprimit shumë të ndryshëm. Megjithatë, jam shumë e sigurt që shumë herë do të jemi të barabartë sepse jemi në rolin e opozitës”, ka thënë ajo.

Ndryshe, seanca ku pritet të votohet për Ramush Haradinajt kryeministër do të mbahet nesër (e shtunë) në orën 16:00. Kujtojmë se kryetar i Kuvendit të Kosovës është rizgjedhur dje Kadri Veseli./Indeksonline/

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy