Mitro: Marrja e Berishës si i pandehur, lajm i mirë. SPAK në një linje me akuzën e DASH

Mitro: Marrja e Berishës si i pandehur, lajm i mirë. SPAK në një linje me akuzën e DASH

Kryeredaktori i Mcn Tv Leonard Mitro tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se një hetim i plotë ose do të hapte Kutinë e Pandorës në lidhje me transportin e dyshuar të mbetjeve toksike, ose e gjithë ngjarja do të rezultonte një fortunë në gotë.

Lidhur me marrjen si të pandehur të Berishës nga SPAK, Mitro mendon që kjo ngjarje mund të jetë “pika e kthesës edhe për PD-në dhe opozitën në tërësi”. Ai po ashtu vë në dukje se fakti që akuza e SPAK ndaj Berishës përkon me përshkrimin e DASH për shpalljen “non grata” të kreut të PD, tregon që drejtësia e re është e dirigjuar një masë të madhe nga amerikanët.

Duke folur mbi pyetjet e parashtruara nga opozita ndaj Ramës në Kuvend, dhe përgjigjen e këtij të fundit, Mitro thotë:

Nga interpelanca e kryeministrit s’morëm shumë përgjigje. Vet kryeministri mbrojti idenë që duhet të presim edhe analizat e materialeve që janë eksportuar, për të ditur përfundimisht nëse 800 tonë mbetje që u larguan nga Porti i Durrësit janë mbetje të rrezikshme apo jo. Në fakt u duk sikur kryeministri, por edhe gjithë qeveria, është kapur në befasi nga kjo çështje. S’dimë ende të themi, të paktën nga ato që na u thanë nga kryeministri, nëse institucionet në varësi që monitorojnë trajtimin dhe menaxhimin e këtyre lloj mbetjeve kanë funksionuar në bazë të ligjit, apo kanë neglizhuar situata që mund të jenë përsëritur shumë herë edhe në të kaluarën. Kështu që një hetim i plotë ose do hapte Kutinë e Pandorës lidhur me këtë situatë, ose do përfundonte në një furtunë në gotë. U la të kuptohej nga opozita që qeveria apo agjencitë në varësi të saj ndoshta mund të kenë marrë në mbrojtje kompaninë ‘Kurum’ dhe atë ‘Sokolaj’, të cilat janë të dyja të implikuara në eksportin e këtyre mbetjeve. Gjithsesi kryeministri preferoi të mos fliste shumë dhe t’ia linte drejtësisë zbardhjen e kësaj ngjarjeje”.

Duke u ndalur te vënia nën akuzë e Berishës, Mitro shprehet:

Marrja si i pandehur i një ish-kryeministri dhe konkretisht z.Berisha, në një perspektivë të parë duhet parë si një lajm i mirë. Është një lajm i mirë që më në fund drejtësia ka shtrirë duart edhe në ato figura apo personazhe të politikës që deri diku perceptoheshin si të paprekshëm. Nëse nisemi nga akuza e komunikuar zyrtarisht, flasim për ‘korrupsion pasiv’ dhe ‘pastrim parash’. Po ta shikosh është një akuzë që si të thuash përkon me përshkrimin z.Berisha që i është bërë nga DASH, kur është shpallur ‘non grata’, edhe aty flitet për korrupsion madhor, çka do të thotë që nëse kjo akuzë e ngritur nga Prokuroria merret në konsideratë bazuar në prova edhe nga gjykata, me shumë gjasë z.Berisha do të duhet të vuajë dënimin për këtë vepër penale që ka kryer në bashkëpunim. Kjo na bën të mendojmë që drejtësia e re në një masë të madhe është e dirigjuar në një masë të madhe nga amerikanët, sepse në fund të fundit ata e kanë bërë presionin e madh për ndërmarrjen e reformës në drejtësi, por edhe vënien para drejtësisë të zyrtarëve të lartë me të shkuar korruptive, por nga ana tjetër një prolog për procesin që do të vijojë.

I pari që mund të shohë derën e burgut apo dritaret e qelisë është z.Berisha, por kambanat e alarmit bien edhe për ish-zyrtarë të tjerë, edhe për qeveritarët aktualë, çka do të ishte një hap cilësor i Shqipërisë në rrugën e saj drejt konsolidimit të institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, megjithatë s’duhen përjashtuar edhe dritë-hijet që mund të ketë ky proces, deri diku të justifikueshme sepse është një tentativë e parë për të patur një drejtësi të fortë që mund të godasë edhe lart politikisht. Ndikimet që klasa politike aktuale nga njëra palë dhe pala tjetër mund të kenë në Prokurorinë e Posacme nuk përjashtohen, megjithatë shpresojmë që procesi në fund të jetë i drejtë dhe i bazuar në prova. Z.Berisha i ka të gjitha mundësitë edhe në qoftë se pretendon për proces politik, drejtësia s’mbaron këtu, ka shumë shkallë, mund të shkojë deri në Strasburg, madje z.Berisha e ka përmendur shumë herë Strasburgun si një godinë ku ai mund të gjejë të drejtën si për vjedhjen e zgjedhjeve, apo edhe procesin aktual ndaj tij. Le të presim e të shohim si do përfundojë”.

I pyetur, a do të kemi tani një PD akoma më të dobët dhe të pafuqishme, Mitro thotë:

Kjo mund të jetë pika e kthesës edhe për PD-në dhe opozitën në tërësi. Edhe pse duket si një lajm jo i mirë, që kryetari i opozitës është marrë si i pandehur dhe mbështetësit e tij kërkojnë të krijojnë perceptimin që tani Shqipëria tani po shkon në një rrugë të shkeljes së të drejtave të njeriut, të kufizimit të lirive politike, por në fakt nuk është kështu. Protesta të tilla nuk është se legjitimojnë pafajësinë e z.Berisha dhe mendoj që ndoshta i reduktojnë edhe atë lloj kontributi që ai mund të ketë pasur në jetën demokratike të vendit pas viteve 90’. Duhet të jetë në dorën e opozitës nëse do të dijë të reflektojë nga ky moment, për të mos mbetur peng i një personazhi që e fokuson të gjithë luftën opozitare në çështjen e tij, që është më shumë personale se sa publike. Nuk e di sa kjo opozitë mund të jetë e aftë të mobilizojë qytetarët për t’u ngritur protestë, për një çështje që s’prek drejtpërdrejtë ata, as interesat primare që janë ekonomia, shkollimi, e ardhmja. Shpresoj që PD të reflektojë më në fund dhe të rihapë një proces për të rigjetur një mënyrë të re drejtimi, por edhe njerëz të rinj që do t’i japin një impuls, jo vetëm asaj si forcë politike, por edhe jetës demokratike të vendit, në mënyrë që PS që aktualisht po qeveris për tre mandate mos të ketë garanci kaq të mëdha për të marrë një mandat të katërt".  

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy