
Ministria e Brendshme i ka dhënë një tender me vlerë 50 mln lekë të vjetra Merita Kajmakut bashkëshortes së ish-kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku.
Mësohet se bëhet fjalë për tenderin për mirëmbajtjen e lulishteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Sakaq, bëhet me dije se ky tender është dhënë nga drejtoria e blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme në datën 30 dhjetor 2019, kohë kur Kajmaku ishte në krye të Bashkisë së Vorës.
Në garë ishin katër kompani, njëra është skualifikuar, ndërsa nga tre të tjerat ka fituar firma 'Kajmaku'.

Kajmaku ‘SHPK’ njihet publikisht si kompania e Agim Kajmakut. Në muajin Korrik 2019, pas akuzave të PD se Kajmaku kishte marrë përmes kompanisë së tij, rreth 2.6 milionë euro para publike të marra përmes tenderave, Kajmaku ia ka transferuar kompaninë Merita Kajmakut, gruaja e Kajmakut, e cila tanimë rezulton se është aksionere e vetme e kompanisë.
Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është në arrati që prej muajit nëntor 2019, bashkë me bashkëshorten e tij.
Prokuroria e akuzon Kajmakun për faksifikim formulari e dokumentash si dhe për ushtrim kompetencash tej mandatit.



