Artan Kacani, urbanist tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të MCN Tv se projekti për Pallatin e ri të Kongreseve nuk mbart vlera arkitektonike të veçanta, por shkon kundër vlerave urbanistike dhe arkitektonike të bulevardit që është hartuar në vitet ’20.
Duke vijuar Kacani tha se me ndërtimin e kësaj kulle, intensiteti i ndërtimit 1.5 do të shkojë në 9-10.
Sipas urbanistit, kjo situatë duhet hetuar pasi ëhtë shkelur plani rregullues i Bashkisë Tiranë dhe shumë institucione janë të përfshira.
Projekti nuk mbart vlera arkitektonike të veçanta, shkon kundër vlerave urbanistike dhe arkitektonike të bulevardit që është hartuar në vitet ‘20. Bëhet fjalë për mbivendosje të shkollës së arkitekturës, urbanistikës urbane dhe institucionale.
Nëse shohim planin e përgjithshëm vendor të Bashkisë Tiranë do të kuptojmë që pasaporta e ndërtimit për Pallatin e Kongreseve parashikon intensitet të ndërtimit, afërsisht 1.5. Sipërfaqja totale e ndërtimit duhet të jetë jo më shumë se 1.5 herë sipërfaqe e të gjithë pasaportës së ndërtimit përqark parcelës.
Me ndërtimin e kullës intensiteti i i ndërtimit shkon në 9-10. Nuk është ndryshim i vogël numerik. Kjo është ndryshim i kodeve urbane dhe asaj që është firmosur nga autoritetet publike, nga kryeministri, Agjencia Kombëtare e Planifikimit e cila ka bërë një dopjo lojë duke miratuar dhe aprovuar planin rregullues të Bashkisë Tiranë dhe nga ana tjetër duke i hapur derën intensifikimit. Kemi shkelje administrative dhe në mos edhe penale. Organet të hetojnë.
Plani i përgjithshëm vendor i Bashkisë Tiranë është shkelur me të dy këmbët dhe kjo vazhdon prej afro 10 vitesh që kur Autoriteti i Ndërtimit është centralizuar tek kryeministri i Shqipërisë.
Më tej, Kacani tha se me kullën që është projektuar, rrezikohet të ndodhë e njëjta gjë si në Durrës ku ka zhytje të objekteve.
Institucionet që merren me studimet e gjeologjisë kanë përgatitur një hartë, hartën e gjeorreziqeve. Ultësira e Tiranës është në një proces sanduiç të shtypjeve kodrinore dhe malore.
Këto shtypje sjellin ndryshimin e gjeologjisë. Ndryshimet shumëkatëshe do të jenë të parat që do të preken.
Sa më shumë rritet intensiteti, aq më shumë rritet rreziku.
Rreziku është që të ndodhë pak a shumë ajo që po ndodh me Portin e Durrësit ku pallatet do të fillojnë të zhyten edhe pjerrësohen. Do të humbasë vlerën e investimit do të krijojë rrezik për qytetarët në Tiranë. Mund të ndodhë brenda 5-10 viteve. Do të kemi kullën e Pizës në Tiranë dhe do të bëhemi qesharak në botë.



