Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish-kryetarit Bashkim Dedja për shfuqizimin e sekuestros.
Vetting-u e largoi para katër vitesh Bashkim Dedjen nga Gjykata Kushtetuese.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, kërkoi konfiskimin e një apartamenti të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesa e SPAK-ut u bazua në ligjin anti-mafia, teksa mësohet se apartamenti është në emër të vëllait të ish-gjyqtarit.
Kushtetuesja i hodhi poshtë kërkesën e tij për shfuqizimin e tre vendimeve gjyqësore për vënien nën sekuestro të një apartamenti në plazhin e Golemit. Apartamenti në pronësi të vëllait të Bashkim Dedjes u sekuestrua me kërkesë të SPAK-ut, që ka dyshime se pronari i tij i vërtetë është ish-gjyqtari.
“Ngrirja” e kësaj pasurie u bë për llogari të hetimit të Dedjes për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, akuzë për të cilën aktualisht është i pandehur në Gjykatën e Posaçme.
Dedja i kërkoi Kushtetueses prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme, të Apelit e të Gjykatës së Lartë dhe kthimin e dosjes për rigjykim në Shkallën e Parë, ose në Apel, me pretendimin se i ishte cenuar e drejta e një procesi të rregullt ligjor.
Bashkim Dedja akuzohet për kryerjen e veprës penale, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Më 28 prill me kërkesë të SPAK-ut, GJKKO-ja sekustroi pasurinë e Dedjas. Këtij të fundit iu sekuestrua një apartament 60 m2 në Golem.
Hetimet për Dedjan nisën që në maj të vitit 2020.
Nga hetimet e SPAK-ut rezultoi se ish-kreu i Kushtetueses kishte në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonte dot.



