
Në jo pak raste, zjarrfikësit në Shqipëri kanë dëshmuar se janë një nga strukturat kryesore të sigurisë publike dhe emergjencave civile, duke u shndërruar shpesh në heronjtë e vijës së parë për shpëtimin e jetëve njerëzore.
Megjithatë, sa i përket kushteve dhe nevojave të këtij shërbimi, të ftuarit në studion e “MCN Informacion”, eksperti privat i zjarrfikësve Aleksandër Çavo dhe ish-zjarrfikësi Alban Laçi, u shprehën skeptikë, duke theksuar se shteti duhet të ndërhyjë për përmirësimin e situatës.
Sipas Çavos, është mëse e nevojshme ngritja e një akademie profesionale.
E them me bindje se në Shqipëri ekziston një realitet që duhet diskutuar seriozisht: kemi zjarrfikës të përkushtuar, por një sistem që nuk i mbështet sa duhet.
Sipas meje, përpara çdo mase tjetër, është urgjente që shteti të marrë një nismë për themelimin e një akademie profesionale për zjarrfikësit.
Kjo do t’u mundësonte si efektivëve aktualë, ashtu edhe rekrutëve të rinj, të trajnohen sipas standardeve të vendeve të rajonit. Vende si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi e kanë një qendër të tillë.
Në mungesë të këtij institucioni, duhet të ndërtohet një shkollë moderne me kapacitetet e nevojshme, në mënyrë që zjarrfikësit të pajisen me njohuritë dhe certifikimin e duhur për shërbimet në terren.
Ndërkohë, ish-zjarrfikësi Alban Laçi ngriti shqetësimin se shumë emergjenca në Shqipëri përshkallëzohen në urgjenca për shkak të mungesës së kapaciteteve për ndërhyrje në kohë.
Zjarrfikësi i ditëve të sotme në Shqipëri është një ‘multi-tool’, një ‘thikë zvicerane’.
Ata nuk janë më vetëm për shuarjen e zjarreve, por ndërhyjnë në një gamë të gjerë situatash, nga aksidentet rrugore deri te shpëtimi i kafshëve.
Çdo ngjarje është komplekse dhe kërkon analizë specifike.
Shumë emergjenca në Shqipëri përshkallëzohen në urgjenca për shkak të mungesës së kapaciteteve për ndërhyrje në kohë.
Numri i unifikuar 112 nuk funksionon siç duhet. Nëse telefonon, shpesh lidhesh fillimisht me policinë, e më pas informacioni përcillet te zjarrfikësit përmes numrit 128.
Ky është një problem shumë i madh dhe ende i pazgjidhur. Është një kambanë alarmi për institucionet.



