Qumështi i lopës nuk është i përshtatshëm për foshnjat gjatë vitit të parë të jetës.
Në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, nutricionistja Matina Çobo theksoi se përdorimi i tij si burim kryesor ushqimi për bebet është i rrezikshëm dhe mund të dëmtojë seriozisht sistemin e tyre imunitar.
Foshnja në muajt e parë të jetës ka një sistem imunitar të pamaturuar.
Qumështi i gjirit përmban komponentë të veçantë imunitar, si imunoglobulina A, laktoferina dhe qeliza të gjalla imunitare, të cilat nuk ekzistojnë në qumështin e lopës.
Qumështi i gjirit është perfekt për tretjen dhe përthithjen e lëndëve ushqyese, sepse ka a nivel të lartë uji, yndyrnash dhe karbohidratesh, përmban pak proteina e minerale, të përshtatura për sistemin tretës të foshnjës, ndihmon në përthithjen e hekurit falë laktoferinës dhe nuk shkakton stres në zorrë apo reaksione negative.
Të mendosh që një foshnjë mund të pijë qumësht direkt nga një kafshë, bie ndesh me konceptin bazë të mbrojtjes, sterilitetit dhe ndërtimit të imunitetit të fëmijës, është sulm ndaj imunitetit të foshnjës.
Qumështi i pasterizuar nga lopa, për nutricionisten Çobo, ndikon për më shumë kolita dhe dhimbje barku te bebet.
Edhe nëse është pasterizuar, qumështi i lopës (apo dhisë) nuk është i përshtatshëm për bebet, sepse ka sasi të larta proteinash dhe mineralesh, që ngarkojnë sistemin tretës, mund të shkaktojë kolika, dhimbje barku dhe diare, nuk përmban hekur dhe si pasojë, bebet kanë rrezik për anemi apo gjakderdhje në zorrë, e cila mund të manifestohet edhe me gjak në feçe.
Qumështi i gjirit është i pazëvendësueshëm, jo vetëm si ushqim, por edhe si mburojë imunitare për beben.
Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm që zëvendësimi i tij me qumësht lope, veçanërisht gjatë vitit të parë, është një rrezik serioz për shëndetin e fëmijës.



