Autoritetet shqiptare kanë nisur të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm për procedurat e ekstradimit të Behar Bajrit nga Franca në Shqipëri. Në një raportim për MCN Live gazetari Arsen Rusta tha se ndonëse s’ka marrëveshje ekstradimi mes dy vendeve, pala shqiptare ka dy elementë ku do mbështetet. E para është fakti që Bajrit i është mohuar dy vite më parë kërkesa për azil politik, si dhe provat që ai është i përfshirë në aktivitete kriminale.
“Ka qenë kërkesa për azil politik e bërë nga Behar Bajri duke lënë aty dy adresa. Këto adresa kanë ndihmuar autoritetet franceze, po ashtu edhe palën shqiptare, njësinë FAST të kërkimit të personave me rrezikshmëri të lartë, të identifikojnë vendndodhjen e Bajrit, që kishte mundur të hynte në Francë duke përdorur kalimin ilegal nga Shqipëria. Për shkak se ai ishte në kërkim në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’ si person që dyshohet se ka bashkëpunuar me biznesmenin Pëllumb Gjoka, me të kërkuarin e drejtësisë Ervis Martinaj, me prokurorin Xhevahir Lita dhe ish-drejtuesin e lartë të Policisë, Oltian Bistri, për të kryer krime të ndryshme.
Janë dy vrasje që i faturohen Behar Bajrit si person dhe drejtues i grupit kriminal me të cilën bashkëpunonte. Aktualisht pala shqiptare po përgatit materialet për t’ia dërguar palës franceze, kërkesën për ekstradim në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare, për shkak se autoritetet shqiptare dhe franceze ende s’kanë nënshkruar një marrëveshje ekstradimi. Pala shqiptare ka një dritë jeshile, refuzimin e kërkesës për azil politik që pati Bajri. Arma më e fortë që pala shqiptare do përdorë është refuzimi i mëhershëm që ka marrë Bajri për azil politik dhe listën e provave me operacionin Metamorfoza, dhe vendimit të mëhershëm ku ishte Franca dhe autoritetet belge që ndihmuan palën shqiptare që provat e siguruara nga serveri i goditur i Sky Ecc të përdoreshin edhe nga pala shqiptare.
Do jetë një betejë që minimumi do zgjasë deri në tetor. Mungesa e ekstradimit sa e vështirëson procedurën e sjelljes në Shqipëri të Bajrit, po aq edhe e lehtëson vetëm me faktin që në 2021 iu mohua kërkesa për azil. Tani është përballë faktit që jo vetëm ka jetuar në Shqipëri, por është përfshirë në botën e krimit”, tha Rusta.



