
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur shkarkimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Kolegji arsyetoi se subjekti ka pronësi më të madhe sesa mund ta justifikojë. Gjithashtu KPA ka gjetur pasaktësi në deklarimin e Dedjas, sa i takon një apartamenti në Golem, dhe një në Tiranë.
Trupi gjykues, i caktuar me short, kryesohej nga Ardian Hajdari, me relator Luan Dacin si edhe anëtarë: Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz.
Për trupën gjykuese, Dedja nuk arrin nivel të besueshëm sa i takon pasurisë së tij. Vetë Bashkim Dedja nuk ishte në sallë ndërsa u mor vendimi. Ai përfaqësohej nga avokati Maksim Haxhia.
Në qershor të këtij viti, Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit konfirmoi në detyrë kreun e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa vetë Dedja, në daljen e parë pas rikonfirmimit në detyrë, deklaroi se reforma në sistemin e drejtësisë është e domosdoshme dhe largimi nga sistemi i të korruptuarve nuk është çështje numrash.
“Të kalosh vetingun është si të kapërcesh varrin për së gjati”, u shpreh në atë rast kreu i Kushtetueses.



