Java që po hyn do të karakterizohet nga mot i nxehtë dhe temperatura të larta.
Përjashtim do të bëjë dita e martë, e cila do të shoqërohet me reshje të lehta lokale shiu në disa zona, parashikon meteorologia Anira Gjoni, e ftuar në programin “MCN Live”.
Parashikohet që java të jetë e nxehtë, siç ka qenë dhe periudha e mëparshme, me temperatura të larta, ndërsa për ditët e tjera, pas së martës, moti do të mbetet i ngrohtë me rreth 36°C temperatura maksimale.
Për ditën e martë, reshjet e shiut do të jenë të dobëta dhe lokale, kryesisht në zonat malore dhe ato bregdetare.
Sipas meteorologes, do të ketë një rënie të lehtë të temperaturave maksimale të ajrit, ndërsa minimalet nuk pritet të ndryshojnë shumë.
Për parashikimin e ditëve të ardhshme:
-Në bregdet, temperaturat minimale do të shënojnë 20°C dhe maksimalet do të arrijnë deri në 29°C.
-Në zonat e ulëta, temperaturat minimale do të jenë 19°C dhe maksimalet deri në 31°C.
-Në zonat malore, minimalet do të shënojnë 13°C dhe maksimalet deri në 28°C.
Nga e mërkura e në vazhdim, temperaturat do të vijojnë të rriten gradualisht, dhe maksimalet do të arrijnë deri në 36°C, duke sjellë një periudhë të nxehtë gjatë gjithë javës.



