Vijojnë replikat në distancë mes kreut të PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri, dhe kreut të LSI-së, Petrit Vasili. Pas deklaratës së Tahirit dy ditë më parë se “makinë me dy timonë nuk mund të ketë”, dhe kundërpërgjigjes së Vasilit se “ fundi i makinave me një timon dhe pa frena ka qenë gjithmonë i njëjtë”, ish-ministri i Brendshëm ka reaguar sërish.
Sipas Saimir Tahirit, gjatë katër viteve të qeverisjes ka pasur shumë shkopinj nën rrota dhe për këtë Partia Socialiste kandidon në zgjedhje me aleatin e vetëm, qytetarët e Shqipërisë.
“Dëgjova Petrit Vasilin që thoshte se është tahma e madhe të imagjinosh një makinë me një timon. Unë nuk e di pse i shkon mendja te tahmaja në fakt. Unë e quaj përgjegjësi, atij i shkon mendja te tahmaj, është puna e vet. Po të kesh mundësinë të qeverisësh këtë vend për shqiptarët, pa i zënë sytë me sherre, me shamata, nuk është tahma, është përgjegjësi. Dhe kjo është përgjegjësia jonë, e Partisë Socialiste dhe e Edi Ramës përballë çdo shqiptari që me të drejtë kërkon më shumë punë prej nesh’’, theksoi Tahiri, gjatë prezantimit të kandidatëve Vasilika Hysi dhe Rakip Suli.



