
Shqipëria është në listën e vendeve jomiqësore që qeveria e Federatës Ruse miratoi sot. Lista e shteteve dhe territoreve të huaja që kryejnë veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj nis me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, shtetet e BE-së, Britaninë e Madhe (përfshirë Jersey, Anguilla, Ishujt e Virgjër Britanikë, Gjibraltar), Ukrainën, Malin e Zi, Zvicrën, Shqipërinë, Andorrën, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marino, Maqedonia e Veriut. Në listë janë edhe Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Mikronezia, Zelanda e Re, Singapori dhe Tajvani (i konsideruar si një territor i Kinës, por i sunduar nga administrata e saj që nga viti 1949), raporton TASS.
Vendet dhe territoret e përmendura në listë vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë pas fillimit të agresionit ushtarak të Forcave të Armatosura Ruse në Ukrainë.
Qeveria ruse vuri në dukje se bazuar në këtë dekret, qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore, do të mund t'i paguajnë ato në rubla. Procedura e re e përkohshme zbatohet për pagesat që kalojnë 10 milionë rubla në muaj (ose një shumë të ngjashme në valutë të huaj).



