
Është mbyllur gara për vendet vakante të krijuara në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pas shkarkimit nga vetingu u Arben Dollapajt dhe Besnik Canit. Për dy vendet bosh në KLP, kanë aplikuar pesë prokurorë. Kandidatët janë dy prokurorë nga Prokuroria e Vlorës, një nga Durrësi, një nga Berati e një nga Tirana. Brenda javës pritet që prokuroria e Përgjithshme të nxjerrë datat e votimit sipas prokurorive.
Plotësimi i vakancave të krijuara ishte parashikuar që të bëhej që në muajin nëntor, por Prokuroria e Përgjithshme pezulloi aplikimet, pas urdhrit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për të ndaluar grumbullimet në vende të mbyllura apo të hapura, e për pasojë procesi u shty në kohë. Aktualisht KPL ka nëntë prokurorë, nga 11 që duhet të ketë.
“Në përfundim të afatit të përcaktuar datë 31.12.2020, kanë shprehur interes dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar 5 prokurorë nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm si më poshtë: Moisi Duda, prokuror, Prokuroria e Apelit, Durrës; Zeqir Hoda, prokuror, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë; Eloida Goxhi, prokuror, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat; Albert Kulici, prokuror, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë dhe Elona Avni Alvora, prokuror, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë”, njoftoi Prokuroria e Përgjithshme.
Ndërkohë, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme po merren të gjitha masat që organizimi i mbledhjes së prokurorëve dhe e gjithë procedura e votimit për anëtarët e KLP-së të zhvillohet në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, duke shmangur përhapjen e COVID-19.
Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar paraprakisht Komitetit Teknik të Ekspertëve për të miratuar organizimin e mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve në mjediset e Pallatit të Kongreseve me një kapacitet optimal për zhvillimin e mbledhjes së prokurorëve. Pas marrjes së miratimit nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëve do të caktohet menjëherë data e zhvillimit të mbledhjes për të zgjedhur anëtarët prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.



