Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka zhvilluar tenderin me objekt “Blerje motora urgjence për sistemin shëndetësor”, me vlerë 103.7 milionë lekë. Me këto para nga buxheti i shtetit, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka blerë 4 motora me vlerë gati 26 milion lekë secili. Sipas specifikimeve teknike, motorat janë thuaj se të zakonshëm dhe pajisjet që duhet të disponojnë po ashtu. Në çantën e motorit të urgjencës duhet të ketë; set diagnostikimi i parametrave jetësor ku bëjnë pjesë (stetoskop, termometër, glukometër, sfigomanometër, pulsoksimetër),) Monitordefibrilator; Bllokues i kollonës cervikale (qafore 3 masa); Bombul oksigjeni 2 litër dhe (v) 1 Çantë e madhe anësore (me çanta të vogla për sete).
Fituese e këtij tenderi, është shpallur shoqëria TIMAK shpk, si bashkim operatorësh me START CO shpk. Në garë nuk mori pjesë asnjë kompani tjetër. Tenderi u shpall fillimisht në muajin korrik, ndërkohë që në 23 mars, vetëm 4 muaj më herët shoqëria ka shtuar në objektin e saj të veprimtarisë: prodhim, ndërtim, përshtatje, konvertim dhe montim i konstruksioneve metalike e plastike të mjeteve të motor ambulancave dhe pjesëmarrje në tendera. Ky fakt tregon qartë, paracaktimin e fituesit.
Kompania fituese e tenderit nuk është aspak surprizë, duke marrë parasysh që për reklamimin e saj është kujdesur edhe vetë Kryeministri Rama. Nga ana tjetër, nuk kuptohet qartë roli i kompanisë START CO shpk e cila nuk ka në objektin e saj të veprimtarisë ndërtim motorash por sipas ekstraktit të QKB furnizon një pjesë të pajisjeve motorike. Kjo nënkupton faktin se këto motora urgjence do të blihen më vete nga pajisjet mjekësore dhe do të montohen së bashku duke krijuar të ashtuquajturin motor urgjence me vlerë 26 milion lekë.
Pas hulumtimeve të bëra, gazetarët zbuluan se motorët që urgjenca do të blejë, me të njëjtat specifikime teknike i përkasin kompanisë italiane Piaggo. Fotoja e vendosur në dokumentet e tenderit është e njëjta me atë që vetë kompania ka publikuar në rrjetet e saj sociale. “Xhadat” shkuan në dyqanin e kompanisë shqiptare përfaqësuese të Piaggo në Shqipëri ku mësuan se çmimi i një motori nga këta si të urgjencës është 8 mijë euro.
Po seti i pajisjeve mjekësore sa kushton? Edhe për këtë Xhadat kërkoi oferta nga kompanitë që tregtojnë pajisje mjekësore, ku oferta ishte 4270 euro. Këto pajisje mund t`i gjesh me çmime edhe më të lira, por ne kërkuam çmimet për pajisje mjekësore cilësore, të cilat blihen në Gjermani. Pra në total 1 motor dhe seti me pajisje mjekësore kushtojnë 12 270 euro. Me kursin aktual të euros kjo shumë shkon diçka më pak se 13 milion lekë. Pra, QKUM bleu 26 milion lekë një motor urgjence së bashku me pajisjet mjekësore, të cilat sipas llogarisë së “Xhadave” kushtojnë sa gjysma e kësaj shume, pra 13 milionë lekë.
Por urgjenca nuk bleu një, por 4 motora ambulancë, çka nënkupton se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit vetëm nga ky tender është rreth 50 milion lekë.
Në lidhje me këtë blerje “Xhadat” kërkuan informacion edhe nga Ministria e Shëndetësisë, e cila nuk ka kthyer ende një përgjigje. Po ashtu gazetarët kanë kontaktuar disa herë edhe drejtorin e QKUM, i cili nuk ka pranuar të jap një intervistë në lidhje me këtë tender.
Pyetjes se kush do t`i jap motorit, mjekët, infermierët, apo motorët do të kenë shofer ja gjetëm përgjigjen në dokumentet standarde të tenderit ku thuhej se në qytetet e mbushura me trafik, motorat e urgjencës me mjek dhe infermier në bord janë më të shpejtë se autoambulancat.



