
Mbi 685 mijë emigrantë të parregullt nga Libia thuhet se janë gati të nisen për të zbarkuar në bregdetin italian. Mediat italiane shkruajnë se ky numër u shfaq në raportin e emigracionit që i dërgohet çdo javë qeverisë.
Në të gjithë vitin 2022, mbërritjet kishin qenë 104 mijë kur flukset ishin ende të frenuara nga pandemia. Ndërsa tani, numri i emigrantëve që vijnë nga vendi afrikan, është pothuajse shtatë herë më i lartë.
Kjo është arsyeja përse kjo temë është konsideruar një emergjencë shtetërore në Itali. Së fundmi, ka humbur kontaktet një varkë me 47 persona në bord që mbërrinte nga Libia.

“Kemi humbur kontaktet me 47 personat dhe jemi shumë të shqetësuar! E ashtuquajtura roje bregdetare libiane na tha se autoritetet italiane do të koordinonin shpëtimin, por nuk po japin asnjë informacion. Njerëzit duhet të shpëtohen dhe të sillen në siguri në Evropa tani”, kështu dekaroi Alarm Phone, një OJQ e krijuar nga një rrjet aktivistësh për të alarmuar shpëtimin në det.
Kujtojmë se në muajin shkurt, një tragjedi u shënua në bregdetin itlaiane në Cutro ku 62 persona humbën jetën në përpjekje për të mbërritur në brigjet e Italisë.
Mësohet se shkak për këtë tragjedi u bë fakti se trafikantët hodhën në det dhjetëra njerëz për të lehtësuar gomonen me të cilën udhëtonin për të mos u kapur nga policia.





