
Një grup që merrej me futjen e makinave luksoze në Shqipëri, duke shmangur detyrimet doganore, është goditur nga organet e drejtësisë. Prokuroria e Tiranës, njofton se janë arrestuar pesë persona dhe ndaj tre të tjerëve janë lëshuar urdhër-arreste, nën akuzën e futjes kontrabandë të automjeteve tip "Range Rover" të prodhuara në vitin 2015, duke shmangur vlerën e doganës.
Në prangat e policisë kanë përfunduar Elison Shehaj, Mirjan Driza, Xhani Rama, Ervin Demiraj dhe Aurel Karaj.
Organi procedues në funksion të këtij hetimi ka caktuar dhe masat ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, ndaj shtetasve Merita Zonja dhe Ilir Prifti.
Prokuroria e Tiranës sqaron se procedimi penal ka nisur në vitin 2017 dhe pas një hetimit disamujor të prokurorëve të Strukturës së Posaçme (Forca e Ligjit) në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bënë të mundur zhvillimin e operacionit.



