Një zjarr ka përfshirë këtë të premte masivin me pisha në zonën e Ranës së Hedhur, në Shëngjin, duke shkaktuar alarm për shkak të afërsisë me bizneset dhe strukturat turistike që operojnë në këtë zonë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në terren kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga shërbime të tjera emergjente, të cilat po punojnë intensivisht për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Burime paraprake bëjnë me dije se ndërhyrja është përqendruar si në mbrojtjen e sipërfaqes pyjore me pisha, ashtu edhe në shmangien e rrezikut për bizneset dhe objektet pranë vatrës së zjarrit.
Deri më tani nuk janë raportuar dëme në njerëz, ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta. Autoritetet vijojnë operacionin për neutralizimin e plotë të flakëve, ndërsa situata po monitorohet nga afër për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.



