
Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari, deklaroi sot se është kërcënuar me jetë në zyrën e saj në kryesinë e Kuvendit. Gjatë fjalës në seancën e sotme, Hajdari i kërkoi kryetarit të parlamentit Gramoz Ruçi të marrë masa.
“Para pak ditësh ju kam dërguar një shkresë në lidhje me një kërkesë që të siguroni ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu ju kam kërkuar të siguroni ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Nuk mund të ndodhë sot që në 2019 deputetët të kërcënohen. Është e papranueshme që një femër të kërcënohet. Kam pasur raste që persona kanë ardhur në zyrën time dhe më kanë kërcënuar. Nuk mundet që kjo të ndodhë më, ka ikur ajo kohë. Ju lutem, zoti kryetar merrni masa para se të kemi një viktimë këtu në Parlament. Ju kërkoj edhe njëherë se siç janë masat këtu në Kuvendin e Shqipërisë të jenë të njëjtat masa edhe në Kryesinë e Kuvendit. Asnjë deputet nuk duhet të hyjë pa u kontrolluar mirë, asnjë deputet nuk duhet të marrë përforcime me persona të tjerë dhe të shantazhojë deputetët e tjerë. Duhet të jemi serioz. Ju lutem zoti kryetar më duhet një përgjigje në lidhje me atë shkresë dhe të merren këto masa sa më shpejt të jetë e mundur", është shprehur Hajdari.
Ndërsa kreu i Kuvendit u përgjigj se shkresa i është përcjellë Ministrisë së Brendshme për marrjen e masave.
“E kam marrë shkresën tuaj. Edhe njëherë u kam kërkuar punonjësve të shërbimit që brenda sallës së Kuvendit dhe godinës së Kryesisë së Parlamentit të bëjnë detyrën e tyre sipas ligjit dhe udhëzimeve përkatëse me të gjitha ato shqetësime që ngritët juve. Nga ana tjetër kërkesën tuaj, në mënyrë të posaçme kërkesën tuaj ja kam përcjellë Ministrisë së Brendshme, ku sipas statusit të deputetes dhe kërkesës, të merren masa për shqetësimet që keni ngritur në kërkesën që keni përcjellë dhe trajtuar në seancën e Parlamentit”, tha Ruçi.



