Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, thotë se asnjë nga të rinjët e këtij forumi nuk do ta përfaqësojë atë në Parlamentin e ri që nis punën në shtator. Në një intervistë në Tema TV, Këlliçi tha se të rinjve të PD-së nuk iu dha hapësira e nevojshme për t’u bërë pjesë e Parlamentit, por megjithatë, ata u angazhuan fuqimisht në fushatë.
“Kam pasur një bisedë të gjatë me kryetarin Basha. Është konfidenciale dhe nuk mund të jap detaje. Kam diskutuar me të edhe për sa u përket listave. Asnjë kandidat i forumit nuk është zgjedhur deputet. Por puna që bërë ka qenë sikur të ishin kryesues të listave. Në çdo qytet e lagje, të rinjtë demokratë kanë trokitur derë më derë. Pas bisedës me kreun e partisë jam njohur me faktin që nuk do të isha pjesë e listave dhe kam dhënë kontribut në pjesën më të madhe të qyteteve”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me garën për kreun e ri të PD-së, Këlliçi tha se të rinjtë demokratë do të zgjedhin sipas bindjeve vetjake, pasi sipas tij brenda partisë, mendimi ndryshe nuk është diçka e re.
“Të rinjtë e PD-së kanë mbështetur secilin kandidat. Disa kanë vendosur ta bëjnë zgjedhjen e tyre përmes votës. Ne jemi pjesë e një shtëpie të madhe. PD ka qenë iniciatore e mendimit ndryshe”, tha ai duke shtuar se shpreson që partia të dalë më e fortë dhe më e bashkuar nga kjo garë.
Këlliçi u ndal edhe te ajo çka përfaqëson për demokratët ish-kryetari Berisha, të cilit i bëri thirrje të kontribuojë në bashkimin e partisë.
“Të bëjë maksimumin për ta ndihmuar PD-në të dalë nga ky moment i vështirë. Për ta mbajtur bashkë PD-në siç bëri për 23 vite. Le të japë kontributin edhe kësaj radhe për ta mbajtur partinë të madhe dhe për të fituar betejën e radhës pas dy vitesh”, tha ai.



