
Dy gra do të dalin para gjykatës së Parisit, pas lajmeve të rreme që qarkulluan në internet, sipas të cilave Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron është transgjinore. Seanca e parë është caktuar për 15 qershor, saktësojnë burimet e cituara nga France Presse.
Lajmi i rremë qarkulloi në mediat sociale që nga vjeshta 2021, me qëllimin e mundshëm për të destabilizuar Presidentin Emmanuel Macron dhe gruan e tij Brigitte, dhe në funksion të zgjedhjeve presidenciale të prillit.
Sipas spekulimeve Brigitte është në të vërtetë një transgjinore, e lindur burrë dhe emri i lindjes së së cilës është Jean-Michel Trogneux, prandaj hashtag-u #JeanMichelTrogneux u regjistrua në Twitter dhe rrjete të tjera sociale që nga 7 nëntori.
Sipas Liberation, mbi 57,000 mesazhe janë shpërndarë në rrjetet sociale me hashtag #JeanMichelTrogneux.
Mashtrimi u shpërnda, veçanërisht, “nga profile armiqësore ndaj Macron-it, nga qarqe të afërta me të djathtën ekstreme, anti-vaks apo skeptikë ndaj Covid-it”, saktëson gazeta.



