Avokati Kujtim Cakrani, në një lidhje skype me “MCN Live”, ka komentuar hetimet që lidhen me AKSHI-n dhe projektin Durana Park, duke ngritur akuza të forta ndaj institucioneve dhe qeverisë.
Sipas Cakranit, dosja po hetohet në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa ai shprehet se situata ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si po zhvillohen hetimet.
Ai theksoi se drejtuesja e institucionit ndodhet në masë “arrest shtëpie”, por vijon të firmosë dokumente nga banesa, çka sipas tij përbën problematikë të rëndë ligjore.
Kjo dosje po hetohet në formën e grupit të strukturuar kriminal. Një person që hetohet për një vepër të tillë dhe vazhdon të firmosë nga shtëpia, nuk e di çfarë pret prokuroria e posaçme për të marrë masa ndaj kompanive.
Cakrani shtoi se, sipas tij, hetimi nuk ka nisur me iniciativë të brendshme, por si rezultat i një orientimi nga jashtë.
Ai akuzoi Prokurorinë e Posaçme për dy standarde në trajtimin e çështjes, duke pretenduar se puna dhe qarkullimi i parave publike vijojnë normalisht pavarësisht masave të sigurisë.
Minimalja duhet të ishte sekuestro preventive e kompanive, nëse ka hetim real. Ka presion të lartë ndaj prokurorëve, pasi bëhet fjalë për vjedhje galopante. AKSHI është oazi, kopshti i familjes së Edi Ramës.
Ndërsa duke folur për Durana Park, ai e cilësoi projektin si “parajsë fiskale”, duke pretenduar se është krijuar për të favorizuar investime me burim të dyshimtë dhe për të shmangur taksimin.
Sipas tij, zona në fjalë nuk ka zhvillim konkret në terren, ndërsa e konsideroi si “oaz të pastrimit të parave të korrupsionit qeveritar të këtyre 30 viteve”.



