Gazetari Sami Neza tha se opozita nuk ka rrugë tjetër përveçse bllokimit të proceseve parlamentare në vend. Duke folur në MCN Live Neza tha se është e gabuar shpresa e mazhorancës se opozita duke qenë e përçarë, nuk është në gjendje të organizojë protesta. Gazetari shprehet se me kalimin e kohës opozita do ta injektojë të njëjtën gjë edhe në rrugë. Neza e konsideron pa logjikë arsyetimin e ministrit të Brendshëm Balla në lidhje me komisionet hetimore.
Ka një vendim të opozitës për të mos lejuar zhvillimin e punimeve të Kuvendit në mënyrë normale, për sa kohë mazhoranca nuk konsideron pozicionin e opozitës brenda Parlamentit. E kam fjalën për pozicionin politik dhe izolimin që kanë pasur 3-4 vitet e fundit, sidomos në 2 vitet e fundit. Për sa kohë mazhoranca s’do konsiderojë ngritjen e komisioneve hetimore, për sa kohë nuk do fusë në procedurë amendimet ligjore të opozitës, situata në Parlament do jetë e njëjtë. Ka edhe një ndërhyrje të mazhorancës në punët e opozitës, përmes ndikimit të supozuar të gjykatave në procese që lidhen me vulën e PD, dhe propozimet e PD për ngritjen e komisioneve ‘ad hoc’ për reformën zgjedhore. Bllokimi i proceseve në Parlament është e vetmja rrugë që i ka ngelur në dorë opozitës. Nuk ka mjete të tjera për ta zhbërë tensionin dhe për ta kthyer procesin parlamentar në normal. Nuk ka rrugë tjetër përveçse bllokimi i përhershëm i procesit parlamentar në vend. Me kalimin e kohës, do injektojë të njëjtën gjë në rrugë. Dhe shpresa e mazhorancës se opozita duke qenë e përçarë, nuk është në gjendje të mbledhë njerëz dhe të organizojë protesta, më duket një qasje e gabuar, që mund të shtojë problemet që lindin prej protestave. Problemet që lindin prej protestave mund të jenë më të mëdha se problemet që lindin nga situata në Parlament.
Në lidhje me komisionet hetimore parlamentare, pati një rikthim të një argumenti të vjetër që s’është argument. Balla tha se arsyeja kryesore pse s’pranojmë komisione hetimore, është se Gjykata Kushtetuese ka kërkuar para disa vitesh që të amendohet ligji për komisionet hetimore. Kjo nuk do të thotë që kërkesën e saj e ka futur si vendim dhe pjesë të Kushtetutës. Kjo është njësoj sikur Parlamenti vendos të bëjë ndryshime në Kodin Penal, të ndryshojë veprën penale të vrasjes, i duhet 1 deri në 3 vjet kohë, dhe në këto 3 vjet të mos kemi asnjë dënim për vrasësit sepse do pritet një ligj i ri! Kjo s’ka logjikë fare. Rregullorja e Parlamentit i jep rëndësi momentit kur mund të zhvillohen komisione parlamentare dhe seanca online. Në 3-4 nenet e para është e përcaktuar kjo mënyrë e të punuarit. Mund të ndodhë vetëm në raste gjendjesh të jashtëzakonshme, fatkeqësi natyrore, apo përfshirje në luftë të Shqipërisë. Justifikimi për seanca në Zoom apo Skype s’është proceduriale. Kryetarja e Parlamentit mund të autorizojë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit Online, dhe është kjo mbledhje që vendos për seanca online”.
Lidhur me marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët, Neza thotë se qeveria nuk do që ta shndërrojë këtë në temë debati brenda vendit.
Mazhoranca s’ka dashur shumë të diskutojë sepse s’është pritur mirë si brenda vendit, si jashtë vendit. Ne kemi pasur nënshkrimin e marrëveshjes para 3 ditës nga Rama dhe Meloni, por s’kemi pasur asnjë reagim nga Rama për mediat shqiptare. Duket qartë që s’duan ta shndërrojnë në një temë debati dhe temë publike. Duan ta mbajnë në një nivel sa më të ulët, që të harrohet. Pritet që nesër në Spanjë të penalizohet PS dhe Edi Rama, ndoshta të penalizohet si vëzhguese”.



