Përfaqësuesi ligjor i PD-së Marash Logu deklaroi në emisionin Arnautistan në MCN TV se në një vend evropian do të kishim pasur një akt dorëheqje nga kryeministri nëse do të ndodhte një aferë si ajo e inceneratorëve.
Kam lexuar një artikull të Artan Fugës që thoshte se frika se do humbin militantët i bën politikanët të humbasin qytetarët. Asnjë lider s’duhet ta mendojë që qytetarët t’i bëjë militantë. Unë besoj se politika e re do të shkojë më shumë drejt qytetarëve. Politikat duhet të ketë moral dhe lideri të ketë përgjegjësi. Në çdo vend evropian kujtdo kryeministri që t’i kishte ndodhur kjo minimalisht do kishim një akt dorëheqje. E kemi parë të ndodhë në vende të tjera, në vende të BE-së për arsye shumë më bazike. Ajo që ka ndodhur është e rëndë. Është e rëndë të pranojmë që ish-ministri i Brendshëm ka qenë i përfshirë në trafik droge, ish-ministri i Mjedisit i përfshirë në çështje korruptive. Njerëz me duar në xhepa, pa pasur kapital, njohuri, papritur kanë krijuar kompani dhe kanë fituar kontrata miliona euroshe”, tha Logu.



