
Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme në orët e para të mëngjesit të sotëm, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, për të diskutuar pasojat e sulmit të tretë në 72 orët e fundit, i cili ka goditur infrastrukturën kritike të vendit, duke përfshirë sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Kryeministri Kurti dhe anëtarët e Këshillit vlerësuan se sulmi ka qenë një akt i orkestruar nga shteti serb, i mbështetur nga grupe të organizatave terroriste dhe individë të lidhur me struktura kriminale në Serbi. Gjatë mbledhjes, u miratuan masa emergjente për të menaxhuar situatën dhe për të rikthyer furnizimin me energji dhe ujë në normalitet.
Për të rritur sigurinë e infrastrukturës kritike, u miratuan edhe masa shtesë për mbrojtjen e objekteve dhe shërbimeve kyçe. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të intensifikojnë veprimet në terren, ndërkohë që është forcuar bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Kryeministri Kurti kërkoi mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë për të dënuar sulmet dhe për të siguruar stabilitetin e vendit.



