Policia del me deklaratë lidhur me operacionin antidrogë në Elbasan të koduar “Grupi”, gjatë të cilit janë arrestuar 16 persona të përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen së lëndëve narkotike në Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas.
Në kuadër të operacionit, nga Prokuroria Elbasan janë lëshuar gjithsej 24 urdhra ndalimi, ku prej tyre 16 janë ekzekutuar, 8 gjatë operacionit të sotëm dhe 8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë periudhës hetimore njëvjeçare.
Bëhet e ditur se gjatë operacionit u sekuestrua 9 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, rreth 100 gram kokainë, një pjesë gati për shitje, 5 peshore elektronike, 7 automjete dhe 17 aparate celularë.
Gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm, u bë e mundur ekzekutimi i 8 urdhrave të ndalimit për shtetasit I. Sh., 38 vjeç; R. Z., 52 vjeç; G. Ç., 23 vjeç; A. B., 49 vjeç; N. S., 39 vjeç; L. F., 33 vjeç; J. I., 31 vjeç dhe M. Ç., 32 vjeç.
Gjithashtu, gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. H., 39 vjeç, si dhe u kap shtetasi në kërkim P. Q., 54 vjeç, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u ekzekutuan 27 vendime të Gjykatës për kontrolle banesash dhe ambientesh të ndryshme.
Ndërkohë vijon puna për lokalizimin dhe kapjen edhe të 8 personave të tjerë, të cilët gjatë operacionit nuk u gjetën në banesa.



