Kreu i qeverisë ka mbajtur fjalimin e parë para shqiptarëve për fitoren që i dhanë më 25 qershor Partisë Socialiste, duke e mandatuar në pushtet edhe për 4 vitet e ardhshme.
Në një fjalim falënderues të mbajtur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, kryeministri u kujdes të veçojë gjatë fjalës së tij se fitorja është e Shqipërisë, pa dallim ngjyre politike. Sfida e qeverisë tha Rama është të ofrojë shembullin e mirë, dhe të vijojë barrën e përgjegjësisë për të gjithë shqiptarët.
“Shqipëria ka folur troç, shqiptarët kanë vendosur me një votë qartësisht kuq e zi. Ata kanë zgjedhur të ardhmen dhe na kanë thënë të gjithëve Shqipëria që duam është mbi të majtën dhe të djathtën. Shteti që duam është i qytetarëve, jo i pushtetarëve. Misioni i të zgjedhurve është puna për Shqipërinë dhe mirëqenie për shqiptarët, jo politika e kacafytjeve për partinë dhe interesave për pushtetarët. Ne do të qeverisim me forcën e shembullit për të gjithë. Sfidat e Shqipërisë sot nuk janë sfida socialiste, apo sfida demokrate, por janë sfida shqiptare. Janë sfida të vjetra dhe të reja, të të njëjtit atdhe. Të të gjithëve pa dallim, nën të njëjtin flamur kombëtar”, u shpreh Rama.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë falenderoi kreun e opozitës Lulzim Basha, duke theksuar se ne 18 maj vuri Shqipërinë të parën.
“Dua të shpreh këtu dëshirën që marreveshjen me opoziten për ta pasur një busull orientuese të marrëdhënieve të qeverisë së re me opozitën e re dhe duke shprehur vullnetin për ta respektuar më tutje, dua ta falenderoj Lulzim Bashen se ne 18 maj vuri Shqipërinë të parën”.



