Reshjet e dendura që vijojnë pa pushuar kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore.
Në aksin Elbasan-Librazhd, rënia e inerteve ka bllokuar rrugën për disa orë gjatë natës. E njëjta situatë paraqitet edhe në aksin Gramsh-Moglicë si dhe në rrugën Cërrik-Gramsh.
Një urë është përmbytur në fshatin Qarrishtë. Ndërkohë, në Orenje ka pasur defekte me energjinë elektrike. Edhe në Korçë, moti i keq ka dëmtuar furnizimin me energji elektrike.
Ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur në fidrat 3 e 4 të Ersekës, në fidrin e Cangonjit, linja e Vithkuqit e zona e Lekasit.
Probleme me rrugët ka edhe në Lezhë e Kurbin, ku ka rrëshqitje dherash e gurësh në disa akse. Në fshatin Shpërdhet është shkatërruar rruga duke izoluar banorët. Nën ujë janë 2800 ha tokë dhe janë evakuuar 27 familje.
Në Shkodër, sipërfaqja e përmbytur është 1595 ha. Rruga për në Obot mbetet e bllokuar për mjetet e ulëta.
Në Fushë Krujë, në fshatin Murqine, mbi 20 banesa në këtë fshat janë të rrethuara nga uji.



