
Autoritetet italiane po diskutojnë arritjen e një tjetër marrëveshjeje me qeverinë tonë me në fokus transferimin e të burgosurve shqiptarë.
Avokati Arjol Kondi tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se ende nuk janë bërë të ditura kriteret e këtij transferimi dhe pa u qartësuar kjo pjesë, mbetet thjesht një ide, apo deklaratë elektorale.
Më tej, Kondi theksoi se pjesa dërrmuese e të burgosurve shqiptarë në Itali e kanë famijen në shtetin fqinj dhe s’duan asesi të rikthehen në Shqipëri.
Si ide është jo e re, nuk është se ka dalë dje për herë të parë. Është diçka që flitet prej kohësh. Nuk dimë akoma cilat do jenë detajet. Italia do donte të ulte numrin e të dënuarve se është i lartë. Italia ka një krizë, një tragjedi me sistemin e burgjeve. Në 2024 janë 15 veta që kanë kryer vetëvrasje në burg. Kjo kërkon zgjidhje.
Nëse një ide në letër e bën të mendohet se 400 persona mund të kthehen në Shqipëri do parë me vëmendje. Fakti që personat që ndodhen në burg në Itali të vendosur nën shqyrtim janë shqiptarë të lindur në Shqipëri, s’do të thotë që do të ketë interes nga këta persona të kthehen në Shqipëri. As që bëhet fjalë që këta të duan.
Ka një mënyrë të gabuar ta trajtimi. Po flasim për njerëz dhe jo kafshë. Këta janë persona, shumë nga këta persona kanë dhe familje. Nuk mund të bëhet një vlerësim i tillë në mënyrë cinike dhe naive. Duhen parë raste.
Është gjë serioze dhe nuk mund të bëhet një deklaratë elektorale. E kuptoj që qeveria ka interesat e veta që për të treguar që pas emigrantëve gjen mundësinë të zbrazë dhe burgjet.
Nuk ka një statistikë të saktë. Pjesa dërrmuese e të burgosurve shqiptarë janë persona që kanë familjen në Itali dhe s’mund t’i kthesh me një të rënë të lapsit.
Nuk ka listë kriteresh, flasim për dëshira që mund të ketë sistemi i burgjeve për të ulur numrin. Është mënyrë e gabuar e trajtimit të problemit.



