Në Ditën e Rinisë në Tiranë është hapur Zyra Rajonale Rinore. Në aktivitet ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama si dhe ministrat e Rinisë të rajonit. Kreu i qeverisë tha se kjo zyrë është një urë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit në funksion të një rrugës së përbashkët drejt BE-së. Rama tha se hapja e kësaj zyre është një iniciativë e kancelares gjermane, Merkel.
“Sot kurorëzojmë një proces që ka nisur disa kohë më parë në kuadrin e procesit të Berlinit, ku me inicativën e kancelares Merkel, të gjithë përfaqësuesit më të lartë të rajonit u mblodhën në Berlin dhe prej aty mori jetë një angazhim i ri për t’i dhënë paqes në rajon një cilësi të re. Pjesë e këtij angazhimi ishte edhe krijimi i kësaj zyre mbi bazën e modelit frymëzues të bashkëpunimit rinor franko-gjerman, që luajti një rol fantastik në procesin e paqtimit mes dy vendeve pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se nga “fuçi baruti”, Ballkani është khtyer në një rajon ku zotëron atmosfera e paqes dhe ndërveprimit, pavarësisht kundërshtive të vogla mes vendeve.
“Ky është ai rajoni që quhej dhe mbeti për një kohë të gjatë me emrin “Fuçia e Barutit”, ky është ai rajoni ku plasi një luftë e Parë Botërore dhe ku lumenjtë e gjakut kanë përcaktuar edhe raportet fqinjësore mes nesh për shumë vite me radhe. Sot kemi një atmosferë paqeje dhe ndërveprimi, pavarësisht se nuk jemi dakord për gjithçka dhe inciativa të tilla janë të vyera sepse janë përpjekje të duhura për t’i dhënë kësaj paqeje cilësinë e një bashkëpunimi të qëndrueshëm e një ndërveprimi të harmonizuar në funksion të rrugës së Bashkimit Europian”, tha ai.
