Maxhoranca miraton ligjin për mbrojtjen e tokës bujqësore, Braçe voton kundër

Maxhoranca miraton ligjin për mbrojtjen e tokës bujqësore, Braçe voton kundër

Maxhoranca miratoi me 77 vota pro projektligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, i cili i hap rrugën ndërtimit të parqeve eolike dhe fotovoltaike në tokat bujqësore.

 

Deputeti i PS, Erion Braçe, ishte i vetmi që votoi kundër këtij projktligji nga radhët e maxhorancës, ndërsa nga opozita kundërshtoi vetëm Erald Kapri i Partisë “Mundësia”, pasi deputetët e tjerë e bojkotuan pjesëmarrjen në seancë.

 

Ligji i ri përmban disa shtesa dhe ndryshime që i janë bërë ligjit ekzistues të miratuar në vitin 2004. 

 

Këto ndryshime i japin të drejtë qeverisë të përcaktojë kriteret mbi përdorimin e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit agrofotovoltaik dhe atij eolik në toka me bonitet deri në 8 – të cilat vlerësohen se kanë fertilitet të ulët.

 

Gjatë debatit që i parapriu votimit, deputeti socialist Erion Braçe e kundërshtoi projektligjin, pasi kërkoi më parë numrin e parqeve eolike dhe agrofotovoltaike të miratuara në tokat bujqësore.

 

“Toka duhet për bujqësi, ne nuk jemi një vend që kemi toka pa fund për të zhvilluar aktivitetin bujqësor dhe blegtoral,” tha Braçe, duke shtuar se “nuk mund ta tkurrim bujqësinë me ligj”. 

 

Gjatë diskutimit të këtij ligji në Komisionin e Ligjeve, ai është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, por edhe nga socialisti Damian Gjiknuri. 

 

Deputetët e opozitës janë shprehur se përmes këtij ligji i hapet drita jeshile “shkatërrimit pa kthim të tokës bujqësore”.

 

Miratimi i këtij ligji vjen në një moment kur debati për tokën është në kulmin e tij, pas rastit të Zvërnecit.

 

Vitet e fundit, banorë të zonave të ndryshme e kanë kundërshtuar ndërtimin e parqeve fotovoltaike në tokën bujqësore. Shkak janë bërë shpesh konfliktet për pronësinë e tokës, humbja e tokës bujqësore dhe mungesa e transparencës në proceset e konsultimit publik. 

 

Në Imshtë të Lushnjës, banorët kanë protestuar shpesh kundër ndërtimit të një parku fotovoltaik, me pretendimin se toka është në përdorim të tyre, ndërsa institucionet e konsiderojnë pronë shtetërore.

 

Po ashtu, në Nivicë, banorët kanë kundërshtuar dhënien me qera nga Këshilli Bashkiak të 60 hektarëve tokë për panele diellore. 

 

Gjithashtu, në Devoll dhe Kolonjë është rritur ndjeshëm dhënia e sipërfaqeve të mëdha pyjore dhe kullosore për këto impiante. Banorët janë ankuar shpesh për ndikimin e sipërfaqeve me panele te kullotat tradicionale. 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy