Nis sot zbatimi i ligjit për amnistinë penale, pas miratimit në Kuvend me konsensusin e opozitës dhe mazhorancës.
Kryesisht nga burgu i Fierit 100 persona do te lirohen sipas amnistisë penale, kryesisht të dënuar për vepra të lehta penale.
Sipas drejtorit të IEVP FIER, Ervin Bushi është duke u bërë dokumentacioni për lirimin e tyre i cili mendohet të nisë pas orës 13:00.
Ndërkohë nga burgu i Peqinit sot fitojnë amnistinë 14 të dënuar, kryesisht atyre që u ka mbetur 12-15 muaj dënim. Burime zyrtare pranë burgut të Drenovës thanë se ditën e sotme do të lirohen 54 të burgosur si dhe do të përfitojnë ulje dënimi 73 persona të tjerë. Po të njëjtat burime pohojnë se 127 të dënuarit që përfitojnë lirim dhe ulje kanë qenë të dënuar për lëndë narkotike, vjedhje si dhe vepra të tjera penale.
Duke qënë se bëhet fjalë për një burg të sigurisë së lartë në të cilin vuajnë dënimin kryesisht persona që kanë kryer krime të rënda bën që numri i të dënuarve që përfitojnë të jetë vetëm 14
Kujtojmë se në total nga ky ligj janë 3800 përfitues. Konkretisht, përfitojnë 1100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.
Po ashtu, nga amnistia përfitojnë edhe 2 700 persona në shërbim prove. Nga amnistia do të përfitojnë edhe protestuesit e opozitës, ku pushohen menjëherë 232 çështje.
Sipas ligjit të botuar në fletoren zyrtare, nga amnistia do të përfitojnë personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024.
Përmes kësaj amnistie, përfitojnë nga falja totale të dënimit burrat e dënuar me 4 vjet ose më pak vite burg, për dënime të dhëna dhe që kanë marrë formë përfundimtare deri më 31 mars 2023, ndërsa gratë përfituese do jenë ato që kanë deri në 5 vite dënim.



