
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e kushtëzoi sot pjesëmarrjen në aktivitetet publike me detyrimin për t’u vaksinuar. Deklarata e Veliajt vjen në një kohë kur administratës publike i është shpëndarë një formular, në të cilin kërkohet të jepet pëlqimi për vaksinimin, pavarësisht efekteve anësore që mund të shkaktojë ai. Aktivisti Kastriot Çipi e quan këtë një ndërhyrje në sferën e të drejtave të njeriut. Në studion e lajmeve në MCN TV, Çipi tha se nisma të tilla duhen kundërshtuar me padi kolektive. Çipi u shpreh se shteti dhe aq më pak kryetari i bashkisë nuk mund të imponojnë vaksinimin, por në Shqipëri nuk ka ende ndërgjegjësim për këtë, siç ka ndodhur në vendet e tjera.
Shqiptarët janë më të përgjumur se të gjithë. Ka protesta në shumë vende. Ju si televizion nuk po i nënshtroheni axhendës që është ndjekur për vaksinimin dhe jeni të paktët që thonë të vërtetën. Ne së shpejti do të jemi në një shoqëri aparteidi.
Askush nuk mund t’i nënshtrohet një trajtimi mjekësor pa pëlqimin e tij. Ne e kemi këtë në kartën e pacientit. Sot shteti vendos që unë duhet të vaksinohem, madje shteti të zgjedh edhe llojin e vaksinës. Pra je skllav dhe dikush tjetër vendos për shëndetin tënd.
Administrata është nën presion dhe kjo nuk është gjë e re. Ata kanë pasur presion edhe më parë. Ky është një shpërblim që ata marrin sepse nuk kanë reaguar ndaj kësaj qeverie. Kemi hyrë në sferën e të drejtave të njeriut që nuk mund t’i vendosë kryetari i bashkisë.
Është pranuar botërisht që vaksinat janë eksperimentale. Unë nuk kam pse bëhem kavie. Qeveria shqiptare ka bërë kontrata sekrete me kompanitë e vaksinave dhe ka firmosur që përgjegjësinë ta mbajë vetë.
I duhet ligj Veliajt për këtë? Ai shembi teatrin. Ai synon një praktikë të jashtëligjshme dhe duhet të goditet në gjykatë. Të organizohemi me padi kolektive. Vetëm Kushtetua na mbron. Në këtë vend duhet reagim. Nuk mund të mos bëjmë ne pjesën tonë të luftës.



