Ka startuar dje edicioni i 79-të i Turit të Shqipërisë në çiklizëm, një nga aktivitetet më të vjetra të sportit të biçikletës në botë. Etapa e parë ishte ajo Tiranë-Korçë, 161 km e gjatë, ku mes 54 sportistëve ka triumfuar çiklisti i ekipit kombëtar të Shqipërisë, Ylber Sefa.
Në një lidhje skype në ‘MCN Live Sefa’ deklaroi se ndjehet i lumtur dhe me emocione për këtë fitore, ndërsa theksoi se rezultati ka ardhur me ndihmën e ekipit.
Ai tha se ka si synim të mbrojë fanellën e verdhë edhe në etapat e tjera. Sipas tij federata ka nevojë për çiklistë të trajnuar, ndërsa u shpreh se në Shqipëri mungon organizimi dhe se ai nuk do të kishte arritur këtë rezultat nëse nuk do ishte stërvitur jahsqtë vendit.
Ndjehem i lumtur, emocione sigurisht, ka qenë një nga etapat më të vështira sepse ka pasur terren malor, por me ndihmën e ekipit arrita finishin. Dje rrezikuam pak për të humbur fanellën e verdhë që po mbaj unë, sot është etapa Elbasan-Vlorë një nga etapat më të shkurtra, pastaj Vlorë- Gjirokastër, dhe pastaj mbyllja e turnit në Fier. Synimi im është të mbaj fanellën e verdhë, dhe etapa në Gjirokastër më favorizon sepse finishi është në malore, dhe shpresoj të ruaj fanellën.
Nga 16 vite të mia karrierë 8 i kam zhvilluar edhe në Belgjikë dhe atje organizimi i garave është më i shpeshtë se këtu, por nëse nuk ka gara të vazhdueshme ti nuk mund të jesh në formë. Këtu ka gara shumë të pakta por dhe trajtimi i çiklistëve është shumë i pakët një nga arsyet që më ka shtyrë dhe të largohem. Ajo që dua të theksoj është se federata ka nevojë për çiklistë të trajnuar, por mbi të gjitha është pasioni dhe vullneti im për të qenë në formë gjatë të gjithë vitit. Nuk ndihem aspak i ofenduar që federata më mer të gatshëm sepse kështu funksionon në të gjithë botën. Kam fituar gara edhe jashtë Shqipërisë, një sportist është talent më vete.
Ndër të tjera ai deklaroi se nëse do fliste me gjuhën e një sportisti do të ndihej i demoralizuar sepse ka shumë mangësira për çiklistët shqiptar.
Nuk do kishim këtë rezultat nëse sportisti nuk bën aktivitet dhe gara, forma fizike është e vështirë për të fituar. Nëse do flisja në gjuhën e një sportisti do isha shumë i demoralizuar. këtu ka mungesa page, trajtimi ushqimor, baza materiale, janë shumë faktorë për të cilat çiklisti ka nevojë, dhe këtu në Shqipëri jo vetëm që nuk investohet, por dhe nuk i gjen. Unë nuk do kisha arritur këtë rezultat nëse nuk do isha stërvitur jashtë.



