Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot në vëmendje 14 prillin e vitit 1945, datë u pushkatua ministri i Brendshëm i qeverisë së Ismail Qemalit, Fejzi Alizoti.
Alizoti u diplomua në Stamboll për diplomaci, financë dhe administratë.
Në administratën e Perandorisë Osmane ushtroi detyrën e zv. guvernatorit në Liban. Shërbeu si kajmekam në Libi, në Anadoll dhe në Prizren. Qe prefekt i Prishtinës gjatë Luftërave Ballkanike dhe vali në Shkup. Një kërkesë e Ismail Qemalit u bë shkak për kthimin në atdhe.
Në vijim, u emërua prefekt i Beratit dhe më pas Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë Vlora.
Në vjetët 1916-1918 ishte drejtor i financave për territorin nën administrimin e Austro-Hungarisë.
Në vjetët 1927-1940 mori postin e ministrit të Financave.
Në vazhdim shërbeu si deputet i Gjirokastrës, si ministër Shteti (1940) dhe si Guvernator i Kosovës (1940-1942).
U arrestua në nëntor të vitit 1944 bashkë me 16 të tjerë, nën akuzën e “veprave të tyre armiqësore dhe antipopullore”. Për këtë akuzë, më 14 prill 1945, Gjykata e Lartë e dënoi me vdekje, pushkatim.
Në dokumentet e mëposhtme, DAP sjell vendimin e Këshillit të Ministrave mbi emërimin e Alizotit për të ushtruar pushtetin civil në tokat e liruara (Kosovë, Dibër, Strugë), si edhe korrespondencë mes tij dhe Drejtorisë së Bankës Kombëtare, lidhur me pranimin e Shqipërisë në Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë.






