
Ka kaluar sot në Kuvendin e Kosovës rezoluta e paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përsa u përket lojërave të fatit.
Kryeparlamentari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga komisionet parlamentare, që të sjellin rezolutë për vendimmarrje për ndryshimin e Ligjit për Lojërat e Fatit, në Kuvend brenda 45 ditëve.
Kjo rezolutë ka kaluar me 74 vota pro, dhe asnjë kundër e asnjë abstenim. Sipas kësaj rezolute, Qeveria e Kosovës duhet të nisë procedurat ligjore për pezullimin e aktivitetit të të gjitha llojet lojërave të fatit, deri në ndryshimin e ligjit, dhe se brenda 30 ditëve qeveria të sjellë në Kuvend, ligjin e ri që ndalon aktivitetin e të gjitha llojeve të lojërave të fatit në një periudhë prej 10 viteve.
Sipas ministrit të Financave, Bedri Hamza, në Kosovë aktualisht nuk ka asnjë kazino të licencuar. Sipas tij, nuk mundet që me një vendim të qeverisë, të hidhet poshtë Ligji për Lojërat e Fatit: “Kazino të licencuara nuk ka, ilegale që ka, autoritetet e vendit duhet të ndërmarrin masa. Nëse ato lejohen me ligj, nuk mund të ndryshohet me akt nënligjor (vendim të qeverisë), por vetëm me ligj. Duhet të votojmë një rezolutë që e adreson këtë punë, dhe jo një rezolutë që do të ketë probleme me implementim”, ka sqaruar ministri Hamza.
Seanca e jashtëzakonshme për kazinotë, përkatsisht lojërat e fatit, po mbahet pas dy rasteve të vrasjeve që kanë ndodhur në objektet e lojërave të fatit ditëve të fundit në Kosovë.



