
-19.50h. Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, dhe drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale,Tonin Vocaj, vizituan mbrëmjen e sotme prokurorin e plagosur në atentatin me armë zjarri Arjan Ndoj, i cili bashkë me Aleksandër Lahon po marrin mjekim në spitalin e Durrësit.
-18.45h. Një person është ndaluar nga Reparti i Forcave Speciale si i dyshuar në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ku mbetën tre të plagosur. Ende nuk dihet identiteti i personit që është ndaluar por dyshohet se e ka ndjekur makinën e prokurorit para atentatit.
Ndërkohë mësohet se paralelisht kanë nisur kontrollet në Durrës dhe zonat përreth tij, Shijak, Sukth dhe Shkozet pasi dyshohet se janë pika ‘kyçe’ ku mund të jenë fshehur autorët e krimit.
Nga ana tjetër vetë prokurori Arjan Ndoja ka folur nga Spitali i Durrësit ku po merr mjekimin e nevojshëm pasi mbeti i plagosur me dy plumba dhe është shprehur se i ka njohur personat që e kanë qëlluar.
-16.48h. Atentat prokurorit Arjan Ndoj, plagoset prokurori dhe tre persona
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, ku ka patur një sërë të shtënash zjarri në mes të disa personave që ndodheshin në dy makina.
Prokurori Arjan Ndoj mësohet se ka mbetur i plagosur nga përplasja me armë.
Si rezultat i shkëmbimit të zjarrit, dyshohet se tre persona kanë mbetur të plagosur, teksa dy prej të lënduarve ndodhen në gjendje të rëndë.
Dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë pikërisht prokurori Ndoj, i cili së fundi u bë ‘mollë sherri’ mes maxhorancës dhe opozitës.
Policia ka dalë me informacionin zyrtar në lidhje me atentatin kriminal të ndodhur këtë të premte në mbikalimin e Shkozetit në adresë të prokurorit Arjan Ndoj.
Policia sqaron se të plagosur janë tre persona, A.L 48 vjeç, A.N (Arjan Ndoj) 44 vjeç si dhe A.M, 30 vjeç. Ky i fundit është dërguar drejt spitalit të Traumës për mjekim më të specializuar ndërsa dy të tjerët, përfshi këtu edhe prokurori, janë jashtë rrezikut për jetën.
Informacion paraprak
Ne aksin rrugor Durrës – Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, rreth orës 16:30, në afërsi të vendit të quajtur “Mbikalimi i Shkozetit” kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me targa AA 333 ZD, e për pasojë janë plagosur shtetasit A.L., 48 vjeç, A.N., 44 vjeç dhe A.M., 30 vjeç.
Shtetasi A.M. është nisur për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa dy shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Durrësit është vënë në ndjekje të autorëve, po krihet zona dhe në të gjitha akset rrugore që lidhen me Durrësin janë ngritur pika kontrolli.
Për zbardhjen e ngjarjes është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor nga Departamenti i Policisë Kriminale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.
Policia e Shtetit fton këdo që mund të ofrojë informacion në ndihmë të hetimit të shpejtë të ngjarjes të telefonojë falas në numrin 112.
Prokurori Arjan Ndoja ka folur nga shtrat i spitalit të Durrësit lidhur me atentatit e bërë ndaj tij. Mësohet se prokurori është shprehur se i ka njohur personat që e kanë qëlluar me kallashnikov.



