
Kuvendi i Shqipërisë ka votuar rezolutën kundër Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Rezoluta u miratua me 100 vota pro, 2 abstenim dhe 1 kundër.
Lëvizja e maxhorancës erdhi pas vendimit të presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve.
Ndërkohë, ashtu siç ishte paralajmëruar, në një konferencë për shtyp, Presidenca ripërsëriti edhe një herë qëndrimin se vendimi e presidentit Meta është marrë në përgjegjshmëri të plotë për të shmangur një konflikt destabilizues, që mund të kulmonte në përplasje më 30 qershor.
“Insitucionit i Presidentit ka ndjekur me vëmendje diskutimet e qëndrimet publike përfshirë edhe ato në seancë plenare, ku është diskutuar vendimmarrja e presidentit për zgjedhjet e 30 qershorit. Në vend të një diskutimi mbi argumentat ligjorë, dhe në vend që sot të ishte një momënt reflektimi e të diskutohej mbi veprimet pozitive për negociatat apo zgjidhjen e krizës, u lëshuan lumenj fyerjesh. Kjo retorikë nuk i shërben as zgjidhjes së krizës e as paqes sociale në vend. Presidenti thekson se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është marrë në mbështetje të plotë të kushtetutës”, tha në emër të presidencës këshilltari ligjor, Dervishaj.



