
"Politikanët e paskrupullt" dhe platformat e mediave sociale kanë përgjegjësi për rritjen e dhunës ndaj gazetarëve, thuhet në raportin e fundit të “Reporterëve pa kufi”, për lirinë e shtypit.
Tetëdhjetë gazetarë janë vrarë deri tani gjatë këtij viti, 348 janë në burg dhe 60 mbahen peng. Organizata me bazë në Paris theksoi se të gjitha këto shifra kanë shënuar rritje në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa gjysma e gazetarëve të vrarë janë ekzekutuar qëllimisht.
Në raport theksohen rastet e vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi dhe atij sllovak, Jan Kuciak. “Të dyje këto ilustrojnë më së miri se sa larg janë të përgatitur të shkojnë armiqtë e lirisë së shtypit”.
Christophe Deloire, sekretari i përgjithshëm i Reporterë pa Kufij, thotë se raporti evidenton faktin se "dhuna kundër gazetarëve ka arritur nivele të paprecedenta këtë vit dhe situata tani është kritike”.
"Urrejtja ndaj gazetarëve, e shprehur dhe ndonjëherë e shpallur shumë hapur, nga politikanët e paskrupullt, udhëheqësit fetarë dhe biznesmenët ka pasoja tragjike në terren dhe është reflektuar në këtë rritje shqetësuese të sulmeve ndaj gazetarëve. Të amplifikuara nga rrjetet shoqërore, të cilat kanë përgjegjësi të mëdha në këtë drejtim, këto shprehje të urrejtjes e legjitimojnë dhunën, duke minuar kështu gazetarinë dhe vetë demokracinë, çdo ditë e më shumë", shtoi ai.
Numri i gazetarëve të vrarë u rrit me 8% këtë vit duke arritur në 80, ndërsa numri i gazetarëve profesionistë të vrarë u rrit nga 55 në 2017, në 63 këtë vit - një rritje prej 15%.
Afganistani konsiderohet vendi më vdekjeprurës për gazetarët, me 15 të vrarë këtë vit. Ai ndiqet nga Siria, ku 11 gazetarë kanë humbur jetën.
Me nëntë gazetarë të vrarë, Meksika është vendi jo në konflikt, me numrin më të madh të gazetarëve të vrarë. Edhe SHBA-të renditen mes vendeve më të rrezikshme për gazetarët, pasi gjashtë gazetarë vdiqën atje në 2018-n.
Katër prej tyre ishin në mesin e pesë punonjësve të “Capital Gazette”, të cilët u vranë gjatë një sulmi në ambientet e gazetës në Annapolis, Maryland.
Më shumë se gjysma e 348 gazetarëve të burgosur në botë janë në qelitë e Kinës, Iranit, Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Turqisë.
Kina mban rekordin për burgosjen e gazetarëve, me 60 raste, 45 prej të cilëve janë gazetarë joprofesionistë.
Vendet e Lindjes së Mesme - Siria, Iraku dhe Jemeni - janë gjithashtu vende me numër të lartë të burgosjeve dhe pengmarrjes së gazetarëve. / Euronews /



