Një grup grash afgane të angazhuara në mbrojtjen e të drejtave civile kanë hapur një bibliotekë në Kabul. Ata shpresojnë të ofrojnë një oaz për gratë gjithnjë e më të shkëputura nga arsimi dhe jeta publike nga talebanët.
Që nga rifitimi i pushtetit në Afganistan një vit më parë, talebanët kanë vendosur një sërë kufizimesh. Gratë nuk mund të dalin nga shtëpia nëse nuk shoqërohen nga një i afërm dhe duhet të mbulojnë fytyrën, megjithëse disa e shpërfillin rregullin, veçanërisht në qendrat urbane.
Shkollat e mesme për vajza mbeten kryesisht të mbyllura pasi talebanët refuzuan premtimin e tyre për t'i hapur ato në mars. Shumica e adoleshentëve nuk kanë akses në klasa dhe mijëra gra janë përjashtuar nga fuqia punëtore për shkak të kufizimeve në rritje dhe krizës ekonomike në Afganistan, raportojnë agjencitë ndërkombëtare të zhvillimit.
Zhulia Parsi, një nga themelueset e bibliotekës thotë se biblioteka është hapur për dy qëllime.
Ne e hapëm bibliotekën me dy qëllime: së pari, për ato vajza që nuk shkojnë dot në shkollë dhe së dyti, për ato gra që kanë humbur punën.
Midis më shumë se 1000 librave në bibliotekë janë romane dhe libra fotografikë, si dhe tituj jo-fiction mbi politikën, biznesin dhe shkencën. Shumica e librave iu dhuruan nga mësues, poetë dhe autorë Fondacionit Crystal Bayat, një organizatë afgane për të drejtat e grave që ndihmoi në ngritjen e bibliotekës.
Në krijimin e bibliotekës në një dhomë me qira në një qendër tregtare kanë kontribuar edhe disa aktivistë që kanë marrë pjesë në protestat e muajve të fundit.
Me hapjen e kësaj biblioteke duam të tregojmë rezistencën e grave ndaj grupeve që janë kundër grave, kundër pranisë së grave dhe kundër aktiviteteve të grave, që nëse mbyllin portat, nëse mbyllin portat e shkollave, nëse vendosin kufizime arsimore ose nëse injorojnë një brez, ato duhet të dinë se gratë afgane janë gra që janë bërë të shkolluara, e njohin veten dhe kanë aftësinë për të përcaktuar veten në shoqëri.
Kështu është shprehur Laila Baseem, aktiviste dhe një nga themelueset e biblioteka e grave.



